Rusia anekson katër rajone ukrainase, Zelensky kërkon anëtarësim të përshpejtuar në NATO
Presidenti rus, Vladimir Putin, i ka thënë të premten popullit se Rusia i ka tashmë katër rajone të reja.
Sipas tij, banorët e katër rajoneve ukrainase të aneksuara nga Rusia – Donjeck, Luhansk, Zaporizhja dhe Herson – e kanë marrë vendimin e tyre.
“Rezultatet dihen, dihen mirë”, ka thënë ai.
“Jam i sigurt që Asambleja Federale do t’i mbështesë katër subjektet e reja të Federatës Ruse… sepse ky është vullneti i miliona njerëzve”, ka thënë Putin para publikut.
Ai ka nënshkruar dokumentet e aneksimit dhe ka emëruar liderët rusë në të katër territoret ukrainase.
Zelensky kërkon anëtarësim të shpejtë në NATO
Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky ka bërë të ditur se është duke kërkuar anëtarësim të përshpejtuar të Ukrainës në NATO, pas vendimit të marrë nga Putini.
“Ne e kemi vërtetuar përshtatjen tonë me standardet e aleancës. Ne jemi duke marrë hap vendimtar duke nënshkruar aplikacionin e Ukrainës për anëtarësim të përshpejtuar në NATO”, ka thënë ai përmes një postimi në Telegram.
Aneksimi pason referendumet e rreme
Përgjatë fjalimit, Putin është kthyer mbrapa në histori – duke pretenduar se shumë gjenerata të rusëve kanë luftuar për këto toka.
Putin e ka mbrojtur atë që tashmë e ka bërë në Ukrainë – aneksimin e katër rajoneve – duke thënë se janë territore ruse dhe ka fajësuar Perëndimin se ka bërë përpjekje për ta nënshtruar Rusinë.
Fjalimi i tij në Kremlin pasoi mbajtjen e referendumeve të rreme në rajonet e kontrolluara pjesërisht nga ushtria ruse.
Perëndimi i ka konsideruar këto referendume si të paligjshme.
Putin pretendon se Rusia ‘do të rindërtojë qytezat dhe fshatrat’
Përgjatë fjalimit, Putin ka thënë se dëshiron që Kievi dhe Perëndimi ta dinë se secili banor i rajonit të Donbasit do të bëhet shtetas rus përgjithmonë.
Ai ka thënë se autoritetet e Kievit duhet ta respektojnë qëndrimin e banorëve të këtyre rajoneve, sepse është rruga e vetme drejt paqes.
Presidenti rus ka thënë se shteti i tij do të mbrojë tokën që ka, me të gjitha mjetet që disponon.
Putin është zotuar se Rusia do t’i rindërtojë qytezat dhe fshatrat dhe do të krijojë infrastrukturë për shëndetësi dhe edukim.
Presidenti rus ka thënë, po ashtu, se do të punojë në siguri, ashtu që të gjithë qytetarët të ndihen të mbështetur “në secilën pjesë të tokës amë”.
“Perëndimi po tenton ta gjunjëzojë Rusinë”
Putin ka përsëritur gjithashtu pretendimet se Perëndimi është duke tentuar të gjunjëzojë Rusinë, prej rënies së Bashkimit Sovjetik.
“Perëndimi dëshiron të mbizotërojë Rusinë përmes teknologjisë së re”, ka pretenduar ai, duke shtuar se Perëndimi po dëshiron ta shkatërrojë kulturën ruse.
“Ata janë të shqetësuar pse ekziston një shtet kaq i pasur”, ka thënë Putin, duke vënë theksin te pasuritë nëntokësore.
Ekonomia ruse është goditur me sanksione të ashpra prej nisjes së luftës së Rusisë në Ukrainë më 24 shkurt të këtij viti.
Sipas Putinit, Perëndimi ka nisur “luftë hibride” kundër Rusisë.
“Ata nuk duan të na shohin si shoqëri të lirë. Ata duan të na shohin si turmë skllevërish”.
Pas duartrokitjeve të vazhdueshme të publikut, ai ka thënë: “Atyre nuk u duhet Rusia. Neve na duhet Rusia!”.
Thirrje për familjet e ushtarëve rusë
Ndër tjerash, Putin është ndalur edhe te familjarët e ushtarëve “që po marrin pjesë në operacionin special ushtarak”, siç i referohet ai luftës në Ukrainë.
Sipas tij, familjarët e ushtarëve duhet ta kuptojnë “pse po luftojnë” ushtarët.
Së fundi, Putin ka marrë vendim për mobilizim të pjesshëm ushtarak, që nënkupton se 300.000 rusë do të angazhohen në luftën në Ukrainë.
Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov, ka thënë më 30 shtator se Moska do t’i konsiderojë sulmet kundër rajoneve të aneksuara, si agresion ndaj vetë Rusisë.
Pas fjalimit të Putinit, në Sheshin e Kuq të Moskës do të mbahet një koncert.
Afër skenës së koncertit qysh herët ishin vendosur mbishkrimet “Donjeck, Luhansk, Zaporizhja, Herson – Rusi”.
Putin e ka njohur pavarësinë e rajoneve ukrainase, Herson dhe Zaporizhja përmes dekreteve të nënshkruara një ditë më parë – vendim ky që i hapi atij rrugën për t’i aneksuar këto rajone.
Këto dekrete janë të ngjashme me ato që Putin i ksihte nënshkruar në muajin shkurt për rajonet Donjeck dhe Luhansk, para se të niste pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.
Këto katër territore krijojnë një korridor të rëndësishëm në mes të Rusisë dhe Gadishullit ukrainas të Krimesë, të cilin Moska e ka aneksuar në vitin 2014.
Së bashku, të pesë rajonet përbëjnë 20 për qind të territorit ukrainas.
Kryeministrja britanike, Liz Truss, e ka kritikuar Putinin për “shpërfillje të jetëve të popullit ukrainas në rajonet që pretendon se përfaqëson”.
“Mbretëria e Bashkuar nuk do të injorojë kurrë vullnetin sovran të këtyre njerëzve dhe nuk do të pranojë kurrë që rajonet e Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjas të jenë diçka tjetër përveçse territore ukrainase”, ka shtuar ajo.
Shtetet e Bashkuara dhe Kombet e Bashkuara i kanë dënuar ashpër planet e Rusisë për këtë ceremoni dhe kanë thënë se nuk do t’i njohin rezultatet e të ashtuquajturave referendume për bashkim me Rusinë, që janë mbajtur përgjatë pesë ditëve në këto rajone.
Presidenti amerikan, Joe Biden, ka thënë se nuk do t’i njohë kurrë pretendimet e Rusisë në territorin ukrainas.
Sekretari amerikan i Shtetit, Antony Blinken, ka thënë se referendumet janë një tjetër përpjekje për të “grabitur tokë në Ukrainë”, dhe ka thënë se rezultatet “janë të orkestruara nga Moska dhe nuk reflektojnë qëndrimin e popullit ukrainas”.
Uashingtoni dhe Bashkimi Evropian kanë përgatitur sanksione shtesë për të izoluar Rusinë.
Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, i ka bërë presion Putinit që të marrë hapa për t’i ulur tensionet.
Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt. Vetë Putin e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.
Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.
Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.