Presidenti Putin: Gabimet e mobilizimit ushtarak, duhet të korrigjohen
Presidenti Vladimir Putin tha të enjten se “të gjitha gabimet” e bëra me një thirrje për mobilizim në shërbimin aktiv ushtarak për të përforcuar operacionin e Rusisë në Ukrainë duhet të korrigjohen, pranimi i tij i parë publik ky se “mobilizimi i pjesshëm” që ai njoftoi javën e kaluar nuk kishte shkuar pa probleme.
Ka pasur shprehje të përhapura publike të pakënaqësisë nga zyrtarët dhe qytetarët lidhur me mënyrën se si është trajtuar mobilizimi, përfshirë ankesat për oficerët e rekrutimit që dërgojnë fletëthirrje tek persona qartësisht të papërshtatshëm.
Mijëra djem e burra kanë ikur nga Rusia për të shmangur mobilizimin që u paraqit sikur do të përfshinte personat me përvojë ushtarake e të specializuar, por që shpesh nuk ka marrë parasysh të dhënat e shërbimit ushtarak të individëve, shëndetin, statusin prej studenti apo edhe moshën.
Rreth 2 mijë njerëz janë arrestuar gjithashtu në protesta të paligjshme kundër luftës në mbi 30 qytete, dhe disave prej tyre menjëherë iu dhanë fletëthirrje – diçka që Kremlini tha se ishte krejtësisht e ligjshme.
“Gjatë këtij mobilizimi, shumë pikëpyetje po lindin dhe të gjitha gabimet duht të korrigjohen dhe të parandalohen që të mos ndodhin në të ardhmen”, tha Presidenti rus Putin.
“Për shembull, unë jam duke menduar për baballarët e shumë fëmijëve, ose njerëzit që vuajnë nga sëmundje kronike, ose ata që kanë kaluar tashmë moshën e rekrutimit”.
Njoftimi i Rusisë më 21 shtator për mobilizimin e saj të parë publik që nga Lufta e Dytë Botërore tërhoqi kritika edhe nga vetë mbështetësit e Kremlinit, diçka pothuajse e padëgjuar në Rusi që kur dërgoi ushtrinë e saj në Ukrainë shtatë muaj më parë.
“Ata po i indinjojnë njerëzit, si me qëllim, si për inat. Sikur të ishin dërguar nga Kievi”, tha të shtunën redaktorja e kanalit shtetëror të fuqishëm të lajmeve RT, Margarita Simonyan.
Të hënën, zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov pranoi se disa thirrje ishin lëshuar gabimisht, duke thënë se gabimet po korrigjoheshin nga guvernatorët rajonalë dhe Ministria e Mbrojtjes.
Presidenti Putini u përmbajt veçanërisht nga caktimi i fajit për gabimet – qoftë ministrisë, të udhëhequr nga aleati i tij i ngushtë Sergei Shoigu, ose zyrtarëve rajonalë të cilëve u është besuar të vendosin saktësisht se kujt duhet t’i shkojnë dokumentet e thirrjes në shërbim ushtarak.
Zoti Shoigu tha javën e kaluar se Moska planifikoi të regjistronte vetëm 300 mijë rekrutë. Kremlini më vonë mohoi një raport të gazetës së pavarur “Novaya Gazeta Europe” se një klauzolë e cila nuk ishte bërë publike më parë në dekretin e mobilizimit të Presidentit Putinit, parashikonte thirrjen e një milion rezervistëve./VOA
Fraksion.com