Ndërtimet pa leje, pezullohet shefi i Komisariatit nr.1 dhe 4 efektivë të Farkës
Pezullohet nga detyra shefi i komisariatit nr.1 në Tiranë Bujar Mehmeti. Po ashtu janë pezulluar 4 zyrtarë të policisë Farkë.
Mësohet se vendimet kanë lidhje me ndërtimet pa leje në këtë zonë. Efektivët janë njoftuar nga drejtoria e standardeve në Policinë e shtetit se janë pezulluar, ndërkohë që vijon procesi i verifikimit.
Janë pezulluar nga detyra shefi i postës policore Farkë Flamur Sula, agjenti i policisë Alban Rama si dhe inspektori i zonës Nazmi Karreçi.
Hetimi ndaj tyre vjen pas vendimit të qeverisë për operacionin kundër ndërtimeve pa leje, i cili nisi zbatimin nga Tirana dhe do të shtrihet në çdo qytet vetëm për ato ndërtesa që janë ndërtuar me qëllim fitimi.
Kujtojmë se deri tani përmes operacionit kundër ndërtimeve pa leje është bërë publik sekuestrimi i dy objekteve. Zbatimi i operacionit nisi me ndërtesën 9-katëshe të biznesmenit, Julian Morina. Pallati 9-katësh, me 2 kate nën tokë dhe 7 të tjerë mbi tokë, ishte ndërtuar pa leje dhe për këtë arsye u sekuestrua nga qeveria. Ndërsa shtesa tjetër pa leje ishte në një pallat në ndërtim në zonën e Farkës në Tiranë, me një sipërfaqe 1200 me 2. Shtesat e kateve pa leje janë ndërtuar në pallatin në pronësi të biznesmenit Pëllumb Salillari.
Dje është firmosur akti i parë i dorëzimit tek shteti i 4646 metër katrorë shtesë ndërtuar pa leje në pallatin ‘Syri i Tiranës’. Kompania e ndërtimit ka vendosur që pas sekuestrimit nga Qeveria si rezultat i Aktit të fundit Normativ kundër ndërtimeve pa leje, t’ia dhurojë këtë sipërfaqe shtetit. Rama ka thënë përmes një videomesazhi se 4646 m2 të ndërtuar pa leje në qendër të Tiranë do përdoren sipas ligjit për interes publik.
Fraksion.com