AktualitetPolitikëTë fundit

“Satelitët”, Rama jep lajmin: Nga sot do të kemi një kryeinspektoriat në qiell

Kryeministri Edi Rama deklaroi sot, gjatë  prezantimit të shërbimit satelitor në Republikën e Shqipërisë, se tashmë do të kemi një kryeinspektoriat në qiell.
“Sot lajmi është se ne do të kemi një kryeinspektoriat në qiell që nuk ka emër të përveçëm, kushërinj, parti dhe i cili ka një sy që i sheh të gjitha. Me satelitët nuk do të ketë më mundësi të ndërtohen kate pa leje pa u vënë re në momentin kur sapo nisin, sepse e kanë kapacitetin të shohin çdo volum të ngritur mbi sipërfaqen e tokës me një saktësi që mblidhet në një perimetër prej 70 cm”, tha Rama.
Kryeministri theksoi se “kjo nuk do të varet më nga inspektorë që janë të caktuar për zona të caktuara dhe janë shumë të zellshëm kur kapin një plak me kotec pa leje, i bëjnë edhe letrat, por nuk kanë sy fare për të parë kur një pallat në krah shton një apo 2 kate, sepse sytë ua mbyll paraja”.
“Kjo gjë për t’u bërë pa teknologji kërkon shumë vite siç ka kërkuar në vende të tjera që sot i kanë gati se kanë punuar të tjerët me shekuj. Për ne është sfidë e re. Teknologjia, është bekim për vendet në zhvillim. Me satelitët ne do të kemi mundësi të shohim gjithçka ndodh në shumë nga fushat”, tha Rama.
Ditën e sotme u nënshkrua Kontrata e Shërbimit Satelitor në fushën e mbrojtjes dhe sigurisë për monitorimin me teknologji të avancuar të territorit të Republikës së Shqipërisë, ndërmjet Agjencisë Kombëtare të Mbrojtjes Civile dhe Operatorit “Satellogic USA Inc.
Fraksion.com