AktualitetBota+Të fundit

Erdogan dhe Putin diskutojnë referendumet në Ukrainë

Presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan ka planifikuar të zhvillojë një bisedë telefonike me presidentin rus, Vladimir Putin rreth referendumeve të paligjshme të mbajtura në zonat e pushtuara ukrainase.

Erdogan deklaroi dje në mbrëmje se presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky kishte kërkuar mbështetjen e Turqisë për “të bindur Putinin”.

“Uroj që ata të mos mbajnë referendume dhe që ne të mund ta zgjidhim problemin në mënyrë diplomatike”, tha ai.

Referendumet e mbajtura kohët e fundit në katër rajone të pushtuara nga Rusia në Ukrainën Jugore dhe Lindore nuk njihen ndërkombëtarisht sepse ato u mbajtën në kundërshtim me ligjet ukrainase dhe ndërkombëtare dhe pa standardet minimale demokratike.

Turqia është anëtare e NATO-s dhe ka marrëdhënie të mira me Ukrainën, por është gjithashtu një partnere e ngushtë e Rusisë.

Biseda telefonike midis Putinit dhe Erdogan mund të përfshijë edhe planet për të ndërtuar një stacion të ri bërthamor në Sinop, në rajonin turk të Detit të Zi.

Centrali i parë bërthamor i Turqisë, “Akkuyu”, aktualisht po ndërtohet në Turqinë Jugore, ndërsa kompania shtetërore ruse “Rosatom” është përgjegjëse për ndërtimin.

 

Fraksion.com