AktualitetPolitikëTë fundit

Amnistia fiskale, BE: Të shqetësuar nga drafti aktual i qeverisë

Kryeministri Rama është më se i vendosur për të vijuar me nismën e qeverisë për amnistinë fiskale dhe penale për paratë e shqiptarë. Rama tha dje për gazetarët se asgjë nuk e ndal këtë qeveri për të legalizuar paratë e shqiptarëve, ndërkohë që duke folur për ata që e kundërshtojnë këtë nismë, kryeministri përmendi edhe rastin e Partisë Demokratike, e cila financohet nga një vend armik, duke folur për skandalin e lobimit rus.

Por Bashkimi Evropian kërkon që qeveria shqiptare të rishikojë draftin aktual që ka paraqitur për konsultim për amnistinë fiskale dhe penale në vend.

Përmes një reagimi për Report Tv BE nënvizon se duhen vijuar konsultimet për rishikim.

“Bashkimi Evropian ka shqetësime serioze për draftin aktual të ligjit për amnisti fiskale. Ne do të vazhdojmë konsultimet me strukturat përkatëse të qeverisë për të rishikuar këtë legjislacion”.

Kujtojmë se Amnistia fiskale dhe penale është nisëm ligjore e ndërmarrë nga qeveria shqiptare për të falur të gjitha gjobat, kamatëvonesat e pasurisë që deklarohet, nëse kryhet regjistrimi i pasurisë së disponuar në 30-vjeçarin e fundit, të kryera deri në datën e hyrjes në fuqi të ligjit.  Personave që aplikojnë për amnisti fiskale u ruhet anonimati dhe nuk i fillojnë procedurat e ndjekjes penale.

Më parë, kryeministri Edi Rama ka thënë se kritikat e të huajve për këtë projektligj nuk janë të sinqerta  sepse sipas tij këto vende kanë bërë të njëjtën gjë në kohë të ndryshme. Këtë qëndrim Rama e bëri nga konsultimi publik që zhvilloi për amnistinë me grupet e bizneseve, ku të pranishëm ishin edhe përfaqësuesit e ambasadave më të rëndësishme në vend.

Rama e ka bërë të qartë që projektligji për amnistinë fiskale do të miratohet, duke theksuar se të gjithë shqiptarëve që kanë punuar me djersën e ballin në këto 30 vite do t’ua formalizojnë paratë dhe të gjithë të kenë mundësi që të blejnë shtëpi në atdheun e tyre.

 

Fraksion.com