AktualitetPolitikëTë fundit

Rama: Apartamentet e reja gati për të pritur familjet në Marikaj

Apartamentet e reja që po bëhen në Marikaj (Vorë), pjesë e procesit të Rindërtimit janë gati për të pritur familjet.

Kryeministri Edi Rama publikoi në rrjetet sociale foto nga këto apartamente ku thekson se Vora po rilind më e bukur e më fortë se përpara tërmetit.

“Mirëmëngjes dhe me një tjetër bllok apartamentesh të reja, gati për të pritur familje të cilat humbën strehën natën tragjike të 26 nëntorit në Vorën që po rilind më e bukur e më fortë se përpara tërmetit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.

Përmes investimit prej 450 milionë lekësh nga buxheti i shtetit do të strehohen në apartamente të reja rreth 102 familje, të cilat u prekën nga tërmeti.

Ndërkohë 593 familje janë mbështetur me grant për riparimin e ndërtesave të tyre.

Ambientet dhe kushtet dinjitoze për familjet që do të strehohen në këto apartamente, do të pasohen edhe me ndërtimin e infrastrukturës së nevojshme, duke ofruar kushte akoma edhe më të mira.

 

Fraksion.com