Në Serbi bie entuziazmi për energjinë diellore
Interesimi për panelë diellorë në Serbi është i madh dhe ekspertët thonë se potenciali në vend është i konsiderueshëm. Qeveria do që qytetarët të instalojnë panelë diellorë. Atëherë pse është frenuar ky zhvillim?
Në fund të vitit të kaluar, pas shumë planifikimesh dhe kursimesh, panelët për prodhimin e 16.460 vatëve energji u instaluan më në fund në çatinë e shtëpisë dykatëshe të Dragana Maricicit, në qytetin Ruma të Serbisë veriore. Këto panelë përmbajnë të ashtuquajturat qeliza diellore që prodhojnë energji elektrike. Shtëpia e saj, ku banojnë katër vetë është një nga “prosumatorët” e energjisë fotovoltaike diellore në këtë vend. Prosumatorët, janë ekonomi shtëpiake që prodhojnë dhe konsumojnë energji elektrike nga impiantet e veta diellore, pavarësisht sa element përmbajnë impiantet. Në Serbi, energjia e prodhuar në shtëpi që i kalon nevojat e veta duhet hedhur në rrjet. Si shpërblim, prosumatorët marrin kredi për të blerë në të ardhmen energji nga kompania që bën shërbimin.
Gati të gjithë njerëzit në Serbi, përfshirë politikanët dhe shkencëtarët, patën rënë dakord që ky system ka potencial për të sjellë shumë përfitime për mjedisin, për buxhetin e ekonomive shtëpiake, biznesin si dhe rrjetet rajonale të energjisë.
Atëherë pse nuk ka arritur Serbia të bëjë revolucionin e energjisë diellore, pyesin pionierët e energjisë diellore në Serbi.
Ëndërra bëhet realitet
I biri i Draganës, Nenadi, student i inxhinjerisë ka ëndërruar për të pasur impiantet e veta diellore që kur ka qenë fëmijë. “Ai ishte në shkollë fillore kur na tregoi për ëndrrën e tij, por ne ishim skeptikë dhe nuk besuam se mund të funksiononte,” tregon Dragana për Deutsche Wellen.
Por ëndërra e tij u bë realitet. Familja investoi rreth 7000 dollarë në projektin me të cilin prodhohen në muaj 1200 kilovat energji elektrike, shumë më tepër se sa konsumi mesatar mujor i tyre, prej 500 kilovatësh.
I rehatshëm dhe kursyes
“Është e mrekullueshme. Kur të laj rrobat me lavatriçe, unë nuk do kem nevojë të vras mendjen se sa kohë do të zgjasë programi,” thotë Dragana.
Kështu familja mendoi se energjia e tepërt që “ruhet” për ta në formë kredie nga industria për prodhimin e energjisë elektrike për konsumatorët publikë, (EPS), mund të përdoret në dimër, kur familja të ngrohë shtëpinë me energji diellore dhe jo gaz.
Sistem kompleks dhe me të meta
Modeli prosumator u bë i realizueshëm për ekonomitë private këtë vit. Me ndryshimet ligjit për përdorimin e energjive të renovueshme, shteti krijoi më në fund një system që kishte si qëllim motivimin e qytetarëve për të provuar fatin e tyre me energjinë diellore. Por sistemi është me të meta. “Ata pretendojnë se çdo gjë mund të arrihet duke hedhur tre hapa, por kjo nuk është e vërtetë. Ne duhet të merreshim me mbi 100 letra dokumentash,” thotë Nenad Maricic.
Mungesë komunikimi
Kështu familjes iu desh gjysmë viti të merrte në dorë udhëzuesin e duhur që tregon si mund të bëhesh prosumator. As ministria, as komuna as EPS-ja nuk ishin në gjendje të jepnin informacionin e duhur.
“Ata na kthenin mbrapsht aplikimin, duke pyetur për ndryshimet. Gjatë kësaj kohe, asgjë nuk pati ndryshuar në shtëpinë tonë. Vetëm dokumentat ndryshuan dhe kostot u rritën,” shpjegon Nenadi.
Deutsche Welle mësoi gjatë bisedës me ekspertët që kanë marrë pjesë në procesin e përpilimit të ligjeve, se mungesa e komunikimit midis institucioneve pengoi shumë përpjekjet për të bërë ndryshimin. Pranverën e këtij viti, ministria e Financave madje ndaloi përkohësisht të gjithë procesin, sepse as ministria e Energjisë as kompania shtetërore e energjisë elektrike nuk kishin bërë llogaritjet e taksave për modelin prosumator.
Fatura e parë e energjisë elektrike për vitin 2022
Kur familja Maricici mori nga kompania që bën shërbimin faturën e parë të energjisë elektrike në vitin 2022, entuziazmi i madh ra. “Ministri i Energjisë tha në fillim se ne duhet të paguajmë disa fatura bazë, që nuk janë më shumë se 1000 dinarë, (rreth 8 euro). Më pas, gjatë procesit na thanë se duhet të paguajmë taksë konsumatori dhe taksa të tjera,” thotë Nenad Maricic.
Siç u duk, duhet të merreshin përsipër edhe këto kosto të tjera për të pasur privilegjin e të qënit prosumator.
Pagesa që i bezdisi ata më shumë ishte ajo për të pasur qasje në sistemin e shpërndarjes. Të gjithë konsumatorët paguajnë për rrjetin, kurse prosumatorët duhet të paguajnë për energjinë që kompania e shërbimit ruan për ta.
“Kjo do të thotë se ne duhet të paguajmë për energjinë që prodhojmë vetë”, thotë Nenad. Ai llogarit që kjo pagesë dhe pagesat e tjera plus taksat, bëjnë që me projektin e ri familja të kursejë vetëm 20 përqind të faturës së energjisë elektrike.
Mungesë progresi
Kështu Maricicët nuk janë më të sigurt për mençurinë e investimit që kanë bërë. Fillimisht ata llogaritën që investimi i bërë të kthehet mbrapsht për dhjetë vjetë, ose dhe më parë nëse çmimet e energjisë do të rriten siç parashikohet. Tani shohin se koha e kthimit të investimit është 15 ose 20 vjet.
Kur Deutsche Welle foli për këtë çështje në Serbi, ministria u takua me prosumatorët dhe premtoi të krijojë një grup pune bashkë me prosumatorët për të gjetur një zgjidhje. Por deri tani, asgjë nuk ka ndryshuar.
Interesim dhe kërkesa të mëdha nga konsumatorët privatë
Rruga e vështirë për të nxitur prodhimin e energjisë nga dielli mund të frenojë zellin për prodhimin e energjisë së pastër, i cili u pa gjatë përpilimit të ligjit të ri. Ministria e Energjisë, EPS dhe kompanitë që merren me instalimin e elementëve diellorë i thanë Deutsche Welles se interesi për rritjen e përdorimit të energjisë diellore në ekonomitë shtëpiake është shumë i madh.
“Kërkesa është aktualisht tre herë më e madhe se sa oferta,” thotë Miroslav Micic nga Top Solar, një kompani teknologjie diellore me qendër në Serbi.
Kosto të larta instalimi dhe operimi
Qendra e pavarur për mbrojtjen e ambientit, një shoqatë e pavarur në Beograd, vlerëson se potenciali për shfrytëzimin e energjisë diellore në Serbi është 30 përqind më i lartë se në Europën Qendrore.
Sidoqoftë, në Serbi çështja është sa ekonomi shtëpiake do të jenë në gjendje të investojnë 5-6 mijë euro në sistemin e përdorimit të energjisë diellore, thotë Slobodan Jerotic, ekspert për efikasitetin e energjisë. “Ne flasim për maksimum rreth 10 mijë familje, që do të sillnin në total rreth 30 megavat energji elektrike, sasi që nuk është shumë e madhe”, thotë ai.?DW
Fraksion.com