“Babalja”, shtyhet sërish në Apel vendimi për Ervin Salianjin. Avokati i Jetmir Olldashit i paaftë për punë
Gjykata e Apelit ka shtyrë sërish seancën kundër deputetit të Partisë Demokratike Ervin Salianjit, për dosjen Babale, seancë e cila sot duhet të mbahej në orën 14:00.
Seanca nuk do të zhvillohet për shkak se mbrojtësi i të pandehurit Jetmir Olldashit, ka depozituar pranë sekretarisë së gjykatës kërkesën për shtyrje seancë, pasi ka dorëzuar një raport mjekësor për paaftësi të përkohshme për punë.
Po ashtu edhe trupi gjykues nuk mund të formohet për shkak të mungesës së një prej anëtarëve.
Salianji u shpall fajtor për veprën penale ‘kallëzim i rremë’ në lidhje me çështjen “Babale” dhe u dënua me një vit burg nga gjykata e Shkallës së Parë.
Në Apel e ka çuar çështjen dhe gazetari Jetmir Olldashi, i cili u dënua me 6 muaj burg të konvertuar në 100 orë shërbim komuniteti.
Nëse Apeli do të konfirmojë vendimin e Shkallës së Parë atëherë deputeti Salianji, rrezikon burgun.
Ish-deputeti Ervin Salianji dhe gazetari Jetmir Olldashi u shpallën fajtorë nën akuzën e ‘kallëzimit të rremë’ lidhur me inskenimin e audio-përgjimit me qëllim përfshirjen e vëllait të ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafaj në trafikun e drogës.
Gjykata Penale vendosi 1 vit burgim për ish-deputetin Salianji me akuzën e kallëzimit të rremë kryer në bashkëpunim.
Fraksion.com