Rama: Bajpasi i Gjirokastrës përfundon në fund të vitit
Bajpasi i Gjirokastrës, i cili ka marrë edhe miratimin nga UNESCO, do të përfundojë në fund të këtij viti.
Kryeministri Edi Rama ka publikuar në rrjetet sociale pamje nga ky kantier i cili do të përmirësojë qarkullimin e automjeteve.
“Mirëmëngjes dhe me bajpasin e Gjirokastrës, që do të përfundojë në fund të këtij viti e do t’i japë frymëmarrje qendrës historike, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama.
Ky bajpas do e kthejë qendrën e qytetit në zonë këmbësore pa penguar qarkullimin e banorëve, si edhe do të çelë një perspektivë të re për lagjen Dunavat.
Gjirokastra që njihet ndryshe si ‘qyteti i gurtë i njëmijë shkallëve’ dhe veçohet për kalanë, rrugët me kalldrëm, muret dhe çatitë prej guri, ballkonet e drunjta të cilat krijojnë një arkitekture unike dhe ky investim jo vetëm mbron, por edhe nxjerr në pah vlerat e zonës historike.
Si një qytet muze me trashëgimi kulturore të pasur, pjesë e Trashëgimisë Botërore të UNESCO-s, Gjirokastra vizitohet nga rreth 80 mijë vizitorë vendas dhe të huaj në vit dhe ky bajpas do të zgjidhë problemin e trafikut në Pazar duke e shndërruar atë në një zonë për këmbësorët, pa cenuar autenticitetin dhe karakterin e zonës së ndërhyrjes.
Fraksion.com