AktualitetPolitikëTë fundit

Negociatat, ILD në takimin shpjegues me Komisionin Evropian

Në kuadër të procesit të negocimit të Shqipërisë me BE, një ekip nga Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë ishte pjesë e delegacionit shqiptar, që mori pjesë në takimin shpjegues të organizuar në Bruksel nga Komisionin Evropian, mbi Kapitullin 23 “Gjyqësori dhe të Drejtat Themelore”, ecuria e Acquis dhe standardet përkatëse prej shtatorit 2018 e në vazhdim.

Delegacioni shqiptar kryesohej nga Majlinda Dhuka, kryenegociatore dhe Adea Pirdeni, zv.ministre e Drejtësisë, si institucioni negociues për Kapitullin 23, si dhe përfaqësues të institucioneve të sistemit të drejtësisë.

Zyra e Inspektorit të Lartë të Drejtësisë u përfaqësua me drejtoren e Drejtorisë së Analizës Ligjore dhe Hartimit të Akteve, Eljona Bylykbashi dhe ndihmësen në Kabinet, Linda Saliu.

Ekipi teknik i Komisionit Evropian nga Drejtoria e Përgjithshme për Fqinjësinë dhe Negociatat e Zgjerimit si dhe nga Departamenti për Drejtësi, kanë paraqitur para delegacioneve të Shqipërisë dhe Maqedonisë së Veriut parimet dhe standardet e BE-së për sistemin gjyqësor, pavarësinë, cilësinë dhe eficiencën e tij; kërkesat e legjislacionit të BE-së përkundër atij kombëtar; pavarësinë e gjyqësorit, kërkesat për të; emërimi, promovimi dhe vlerësimi i magjistratëve; llogaridhënia e magjistratëve në kuadër të procedimeve disiplinore; trajnimi gjyqësor; mospërputhja me parimet e BE, instrumentet e matjes së standardeve, e më tej edhe për politikat antikorrupsion, mbrojtjen e të dhënave personale, mosdiskriminimin, të drejtat e fëmijëve, barazinë gjinore e lirinë e medies.

Takimet shpjeguese janë faza e parë e procesit të shqyrtimit (screening), që përfshin gjithë spektrin e politikave e legjislacionit të BE-së, i konceptuar në 6 grupime për të 35 kapitujt e trupës së ligjeve të BE-së (Acquis), që u mundëson vendeve kandidate të familjarizohen me ligjet dhe standardet e BE-së dhe detyrimet që ato mbartin, si hapi i parë në procesin e negociatave të anëtarësimit.

Faza e dytë do të jenë takimet dypalëshe, ku secili vend kandidat ftohet të paraqesë, sipas kapitullit të caktuar, ecurinë e përgatitjeve për miratimin dhe zbatimin e trupës së ligjeve të BE-së.

 

Fraksion.com