Britania: Putin pritet të shpallë aneksimin e rajoneve ukrainase
Presidenti rus, Vladimir Putin, ka të ngjarë që të njoftojë për bashkimin e rajoneve të pushtuara të Ukrainës me Federatën Ruse gjatë adresimit të tij në Parlament më 30 shtator, tha Ministria britanike e Mbrojtjes.
Aktualisht, në katër territoret pjesërisht të okupuara nga Rusia, po mbahen të ashtuquajturat referendume për bashkimin me Rusinë.
“Liderët e Rusisë shpresojnë që çdo njoftim për bashkim do të shihet si justifikim për ‘operacionin e posaçëm ushtarak’ dhe do të konsolidojë mbështetjen patriotike për luftën”, tha inteligjenca britanike përmes një postimi në Twitter.
Nga 23 shtatori deri më 27 shtator, në rajonet ukrainase të Donjeckut, Luhanskut, Hersonit dhe Zaporizhjës po mbahen të ashtuquajturat referendume për bashkim me Rusinë.
Kievi dhe Perëndimi i kanë cilësuar votimet si “të rreme” dhe kanë thënë se mbajtja e tyre është në kundërshtim me ligjin ndërkombëtar, duke paralajmëruar se nuk do të njohin rezultatet.
Po ashtu, ka pretendime nga disa zyrtarë lokalë se votuesit po kërcënohen dhe frikësohen.
Liderët e instaluar nga Rusia në këto rajone ku po mbahen të ashtuquajturat referendume, kanë thënë se rezultatet preliminare do të publikohen mbrëmjen e 27 shtatorit apo në ditët në vijim.
Pas kësaj, pritet që ligjvënësit rusë të miratojnë bashkimin e rajoneve me Rusinë dhe Putin të nënshkruajë vendimin.
Rusia më 2014 kishte mbajtur një referendum në Gadishullin ukrainas të Krimesë, përmes së cilit aneksoi paligjshëm këtë gadishull.
Për mbajtjen e referendumeve të rreme u njoftua, teksa Rusia po pëson humbje në fushëbetejën në Ukrainë.
Më 21 shtator, Rusia po ashtu ka shpallur një mobilizim të pjesshëm dhe mëton që të thërrasë në luftë 300.000 rezervistë. Ky vendim ka nxitur protesta në mbarë Rusinë dhe eksod të burrave, të cilët po tentojnë të shmangin shërbimin në luftë.
Fraksion.com