AktualitetBota+Të fundit

Afganistan, zyrtari i lartë taliban thirrje për rihapjen e shkollave të vajzave

Një zyrtar i lartë taleban i bëri thirrje të martën qeverisë së tij, të përbërë vetëm nga burra, që të rihapë pa vonesë të mëtejshme të gjitha shkollat për vajzat, duke thënë se nuk ka asnjë kufizim islamik për arsimimin e femrave.

Sher Mohammad Abbas Stanikzai, Zëvendësministër i Jashtëm i talebanëve, e bëri thirrjen e rrallë gjatë një fjalimi televiziv në një mbledhje të zyrtarëve dhe udhëheqësve të lartë talebanë në kryeqytetin Kabul.

Që nga marrja e pushtetit, më shumë se një vit më parë, ish-grupi kryengritës islamik i ndaloi vajzat përtej klasës së gjashtë që të shkonin në shkollë, duke e portretizuar lëvizjen si të bazuar tek parimet fetare.

“Arsimi është i detyrueshëm si për burrat ashtu edhe për gratë, pa asnjë diskriminim. Asnjë nga dijetarët fetarë të pranishëm këtu nuk mund ta mohojë këtë detyrim. Askush nuk mund të ofrojë një justifikim të bazuar tek Sheriati [Islamik] për kundërshtimin e [të drejtës së grave për arsimim]”, tha Stanikzai.

“Është detyrë e Emiratit Islamik që të krijojë terrenin për rihapjen e dyerve të arsimit për të gjithë afganët sa më shpejt të jetë e mundur, sepse vonesa po shton hendekun midis nesh [qeverisë] dhe vendit për këtë çështje të veçantë”, paralajmëroi ai. Talibanët e quajnë qeverinë e tyre Emirati Islamik i Afganistanit.

Kombet e Bashkuara vlerësojnë se ndalimi i arsimit ka përjashtuar gati një milion vajza që të ndjekin shkollën tetëvjeçare në Afganistan.

“Nëse talebanët vazhdojnë të dështojnë të mbrojnë të drejtat e të gjithë afganëve dhe të angazhohen në mënyrë konstruktive me komunitetin ndërkombëtar, e ardhmja e Afganistanit është e pasigurt: fragmentimi, izolimi, varfëria dhe konflikti i brendshëm janë skenarë të mundshëm”, tha Potzel Markus, shef i Misionit të Asistencës së OKB-së në Afganistan, gjatë takimit të Këshillit të Sigurimit të OKB-së të martën.

Para seancës, 10 anëtarë të zgjedhur dhe pesë anëtarë të rinj të KS të OKB-së u kërkuan talebanëve që të lejojnë vajzat të kthehen në shkollë, duke vënë në dukje se 18 shtatori shënoi një vit që kur grupi radikal ndaloi arsimimin e vajzave.

Duke lexuar deklaratën e përbashkët gjatë një konference shtypi në Nju Jork, ambasadorja e Norvegjisë Mona Juul tha se: “U bëjmë thirrje talebanëve që ta ndryshojnë menjëherë këtë vendim. Talibanët e kanë bërë Afganistanin të vetmin vend në të gjithë botën ku vajzave u ndalohet të ndjekin shkollën tetëvjeçare”.

“Rreziqet e shtuara që lidhen me ndërprerjen e arsimit, veçanërisht për vajzat, i bën ato më të cenueshme ndaj punës së fëmijëve dhe martesave të detyruara. Dhe ndikon në mundësitë e tyre të ardhshme ekonomike dhe rezulton në pengesa afatgjata për paqen e qëndrueshme, sigurinë dhe zhvillimin”, tha zonja Juul.

Talibanët gjithashtu i kanë udhëzuar gratë që të mbulojnë fytyrëm në publik dhe u kanë thënë shumë punonjëseve të sektorit publik të qëndrojnë në shtëpi që nga kthimi i tyre në pushtet në gusht 2021, kur Shtetet e Bashkuara dhe trupat e NATO-s u tërhoqën nga vendi.

Stanikzai, një zë i rrallë i moderuar në mesin e figurave të larta talebane, udhëhoqi ekipin e talebanëve gjatë disa muajsh negociatash me Shtetet e Bashkuara që çuan në marrëveshjen e shkurtit 2020 midis dy rivalëve dhe krijoi terrenin që të gjitha trupat e huaja të largoheshin nga vendi pas gati dy dekadash.

Zyrtarë të tjerë talebanë gjithashtu kanë mbrojtur në rrugë private rihapjen e shkollave për vajzat adoleshente, por kritikët thonë se askush prej tyre nuk mund të guxojë të sfidojë udhëheqësin suprem të grupit, Hibatullah Akhundzada, dhe disa prej bashkëpunëtorëve të tij, të cilët me sa duket qendrojnë pas mbylljes së shkollave dhe kufizimit të veprimtarive të grave./voa

 

Fraksion.com