AktualitetTë fundit

Vrau në oborrin e shtëpisë vëllanë e vrasësit të babait, prokuroria kërkon dënim me 8 vite burg për 17-vjeçarin në Lezhë

Prokuroria e Lezhës pas përfundimit të hetimeve ka kërkuar dënimin me 8 vite burg për 17-vjeçarin Florian Përvathi i cili në muajin janar të këtij viti vrau për gjakmarrje bashkëfshatarin e tij, Lek Lekgjonaj.

Konkluzionet janë dhënë nga prokurori Sabri Kastrati për akuzat ‘vrasje për gjakmarrje’ dhe ‘mbajtje pa leje e armëve dhe municioneve luftarke’.

Organi akuzës ka arritur të provojë se Përvathi ka kryer krimin me paramendim gjakmarrjen pasi  vëllai I viktimës i kishte vrarë babain kur ai ishte vetem 4 vjeç, ndërsa mendohet se armën tip pistoletë e kishte siguruar një vit më parë në Shkodër.

Si ndodhi vrasja?

Florian Përvathi ekzekutoi me armë zjarri Lek Lekgjonajn me mesditën e 24 janarit, sapo ai kishte hyrë në banesën e tij në Manati të Lezhes e cila nuk ishte e banueshme pasi që prej vrasjes së babait të Florjanit familja e Lekgjonajt ishin larguar nga fshati.

Ndue Lekgjonaj, vëllai i Lekës, i mori jetën të atit në vitin 2009. Atë ditë nëna e Florit piu fotoksinë duke i dhënë fund jetës. Djaloshi mbeti jetim që në moshën 4-vjeçare.

Floriani u rrit me idenë për të çuar nderin në vend dhe për t’i marrë gjakun babait. Ai gjeti momentin në janarin e këtij vitit duke ekzekutuar Lek Lekgjonajn.

Në një intervistë për Shqipëria Live në qershor të këtij vit, Florian Përvathi u shpreh i penduar lidhur me krimin.

“Koha nuk kthehet, nuk kam se çfarë bëj. Kur kam ardhur këtu e kam kuptuar se kam gabuar. Unë nuk kam pasur kurrë një psikolog afër që të më udhëzojë dhe të më mbajë në rrugë të drejtë. Për herë të parë u njoha me psikologun e punonjësin social në burg, kur nuk më duhet më. Nuk jam rritur me idenë e gjakmarrjes. Nuk më ka nxitur familja, por e kam bërë vetë. Ishte një moment që më shkatërroi gjithçka. Leka më provokonte vazhdimisht, prandaj nuk e durova më dhe ndërmora aktin final. Nëse nuk do më provokonte nuk do isha këtu sot. Kam gabuar dhe jam penduar, i shpreh ngushëllime familjes së Lekës.Unë do të vazhdoj shkollën dhe pikturën. Shpresoj që kur të dal të bëj shkollën dhe të hap ekspozita”, – deklaroi Florian Përvathi ndër të tjera.

Përvathi po kryen dënimin në burgun e të miturve në Kavajë.

 

Fraksion.com