AktualitetPolitikëTë fundit

Rama në OKB: Shqipërisë sulmi kibernetik i erdhi nga Irani. Ndihmoni shtetet të ndërtojnë qëndrueshmëri dhe rezistencë

Kryeministri Edi Rama mbajti sot fjalën në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara ku i ka bërë thirrje Këshillit të Sigurimit për të trajtuar sigurinë kibernetike dhe ndihmuar shtete anëtare që të ndërtojë qëndrueshmëri dhe rezistencë.

“Doja t’i kërkoja asamblesë të përqendrohem te një çështjet tjetër thelbësore dhe të lidhur ngushtë për ndikimin e jashtëzakonshëm për paqen dhe sigurinë që është siguria kibernetike”, u shpreh Rama.

“Ditët e sotme, teknologjia është pjesë e çdo aspekti të jetës sonë. Në Shqipëri 95% e shërbimeve ndaj qytetarëve dhe bizneseve jepen online. Përdoruesit kursejnë kohën, energjinë dhe përmirësojnë në mënyrë të ndjeshme efikasitetin duke qenë edhe instrumentet më të mira për të eliminuar korrupsionin endemik. Por korrikun e kaluar Shqipëria ka qenë objekti i një sulmi masiv të paprovokuar kibernetik. E gjithë infrastruktura digjitale qeveritare u gjend në një sulm të përqendruar dhe të bashkërenduar me synimin e qartë për ta shkatërruar atë, për të paralizuar shërbimin publik për të vjedhur të dhëna dhe komunikime elektronike nga sistemet qeveritare duke krijuar kaos dhe për të nxitur tensione në vend”, tha ai.

Rama shtoi se një hetim i thelluar dhe tërësor kryer me ekspertizën më të mirë botërore kundër terrorizmit kibernetik ka konfirmuar përtej çdo dyshimi se sulmi kibernetik  që donte të gjunjëzonte një vend sovran ishte agresion i sponsorizuar shtetëror orkestruar dhe kryer nga Republika Islamike e Iranit.

“Kësisoj përballur me një shkelje mjaft flagrante të normave të një sjelljeje të papërgjegjshme të një shteti në hapësirën kibernetike në kohë paqe që përfshin dhe dëmtimin e infrastrukturës kritike që ofron shërbime për publikun, qeveria shqiptare nuk pati asnjë zgjedhje tjetër, por vetëm të ndërpriste marrëdhëniet diplomatike me Iranin. Ne shpresojmë që kjo masë ekstreme e detyruar do të jetë shembull dhe parandaluese për këdo që mbështet apo sponsorizon veprime të tilla të neveritshme kundër shteteve sovrane. Ne i bëjmë thirrje Kombeve të Bashkuara përfshirë dhe Këshillin e Sigurimit të përqendrohet më seriozisht dhe më konkretisht për të trajtuar sigurinë kibernetike duke investuar në parandalim dhe duke ndihmuar të gjitha shtetet anëtare që të ndërtojnë qëndrueshmëri dhe rezistencë”, theksoi Rama.

 

Fraksion.com