Rama: Dialogu rruga e vetme në marrëdhëniet Kosovë-Serbi, “Ballkani i Hapur” lehtëson procesin
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara se Shqipëria as nuk ka lëvizur e nuk do lëvizë asnjë centimetër nga qëndrimi i saj i palëkundur që Serbia të njohë Republikën e Kosovës.
Në fjalën e tij në OKB-së, Rama theksoi se “do them dhe disa fjalë për Ballkanin, jo për të shkuarën, por për të ardhmen, atë për të cilën po punojmë të ndërtojmë së bashku në rajonin tonë”.
“Kthejeni nga të doni këtë rajon dhe do të gjeni benzinë për ndezjen e ndasive dhe toksicitetit, por ne në Shqipëri kemi kuptuar që mënyra më e mirë për të ecur përpara është që ta bëjmë së bashku, me përfitime të përbashkëta si vende sovrane por partnerë të ngushtë, si aktorë kombëtarë të bërë bashkë nga një sipërmarrje e përbashkët, me interesat tona specifike si pjesë e një kuadri të përbashkët që u përgjigjet qytetarëve tanë. Kjo na bëri bashkë me Maqedoninë e Veriut dhe Serbinë, për të krijuar nismën e Ballkanit të Hapur, një platformë e hapur për të gjitha vendet e Ballkanit, jo vetëm ne të tre, por për Malin e Zi, për Kosovën, për Bosnjën, për Turqinë, për Greqinë e më tej, një investim për gjithkënd si pjesë e projektit më të gjerë të përbashkët europian”, tha Rama.
“Mesazhi më i mirë i Ballkanit të Hapur që dua të ndaj me ju sot është që nuk është e nevojshme të biesh dakord për gjithçka për të lënë pas të shkuarën e errët e për të ndërtuar, hap pas hapi, një të ardhme të ndritshme, duke u marrë me mosmarrëveshjet në një mënyrë gjithmonë e më të hirshme e duke gjetur gjithmonë e më tepër arsye, ato të mira, për të zgjidhur edhe mosmarrëveshjet. Duke forcuar marrëdhëniet e saj me Serbinë dhe duke ecur përpara për të nxitur bashkëpunimin dypalësh e rajonal, Shqipëria as nuk ka lëvizur e nuk do lëvizë asnjë centimetër nga qëndrimi i saj i palëkundur në mbështetje të nevojës për çdo vend, edhe mes jush që nuk e ka bërë këtë gjë, përfshirë dhe Serbinë, që të njohë Republikën e Kosovës”, tha Rama.
Po ashtu Rama tha se “është koha që Kosova dhe Serbia të lëvizin përtej ngërçit aktual në dialogun e tyre dhe të punojë me kurajë drejt një marrëveshjeje gjithëpërfshirëse paqeje, duke bërë rolin e tyre përkatës për të miratuar një marrëveshje të mbështetur nga BE-ja dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës”.
“Dialogu nuk është vetëm rruga më e mirë, por rruga e vetme dhe e patjetërsueshme për t’u marrë me këto çështje, sado të vështira të duken dhe sado komplekse të jenë. Mbetem i bindur që Ballkani i Hapur vetëm sa do të ndihmojë të lehtësojë këtë proces për të mirën e të gjithëve, të shqiptarëve dhe të serbëve, të Kosovës dhe Serbisë por edhe për rajonin dhe Europën më gjerë. Zoti president, më lini ta mbyll me një proverbë shumë të bukur afrikane që thotë gjithçka për Kombet e Bashkuara, “Nëse do të ecësh shpejt, ec vetëm. Nëse do të shkosh larg, ec krah për krah me të tjerët”, tha ai.
Fraksion.com