Hohmann: Fillimi i negociatave, arritje për Shqipërinë dhe BE-në
Ambasadorja e BE-së në Shqipëri, Christiane Hohmann deklaroi sot se, “fillimi i bisedave për anëtarësim është një arritje shumë e madhe për Shqipërinë dhe për BE-në dhe është si rrjedhojë e një pune shumë të madhe dhe një vendosmërie në vijimësi nga Shqipëria”.
Në fjalën e saj në prezantimin e projektit EU4LEA – Bashkimi Evropian për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri, Hohmann theksoi se, Shqipëria sapo ka filluar një maratonë, e cila do të këkrojë rezistencë, aftësi si edhe një bashkërendim shumë të fortë ndërmjet institucioneve”.
“Janë shtetet anëtare ato që përkufizojnë rregullat e lojës për zgjerimin në BE dhe shtetet anëtare e kanë bërë shumë të qartë që ecuria në fushën e sundimit të ligjit do të përcaktojë edhe ritmin e përgjithshëm të këtyre bisedimeve”, tha Hohmann.
Për këtë arsye, shtoi Hohmann, “Shqipëria do të duhet që të tregojë një udhëheqje të fortë politike për të avancuar në fushën e ligjit dhe natyrisht që institucionet e drejtësisë dhe organet e zbatimit të ligjit po ashtu do të kenë një rol tejet kyç për të luajtur”.
“Përveç takimeve shpjeguese një pjesë shumë e rëndësishme për autoritetet shqiptare do të jetë që të prezantojnë tek ne një udhërrëfyes për sundimin e ligjit dhe në të ato do të shtjellojnë të gjitha objektivat dhe gjërat që dëshirojnë të arrijnë”, theksoi Hohmann.
Hohmann përmendi çështje kritike që do të kërkojnë një vëmendje të veçantë sa i përket institucioneve të BE-së dhe shteteve anëtare.
“Së pari do të shihet sesi po konsolidohet reforma në drejtësi, si për shembull përfundimi i procesit të vettingut, funksionimi i duhur i institucioneve të pavarura të drejtësisë. Përpjekjet që do të bëhen për të përmirësuar efikasitetin në institucionet e drejtësisë.
Së dyti, do të monitorohet nga afër historiku i hetimeve, ndjekjeve penale dhe i dënimeve në luftën kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Së treti, do të priten më shumë rezultate në fushën kundër luftës së pastrimit të parave. Ne duhet të vazhdojmë të punojmë së bashku për të bërë të pamundurën që Shqipëria të kalojë nga lista gri e FATF, të dalë nga ajo listë.
Së katërti, do të duhet një angazhim në vijim për luftën kundër prodhimit dhe trafikimit të kanabisit, trafikimit të armëve të zjarrit dhe të qenieve njerëzore.
Së pesti, një tregues tjetër i rëndësishëm do të jetë dhe zhvillimi i mëtejshëm i bashkëpunimit me shtetet anëtare të BE-së, me agjencitë e tyre të zbatimit të ligjit, po ashtu me EUROPOL-in, EUROJUST-in dhe natyrisht duke punuar në bazë të gjithë atyre arritjeve që janë kryer deri më tani”, tha Hohmann.
Në këtë kontekst, shtoi ambasadorja e BE-së, “vijimësia e bashkëpunimit është thelbësore për të zhvilluar pikërisht atë besim që është i nevojshëm. Pra kjo kërkon edhe përdorimin e kanaleve të duhura
të sigurta duke përdorur pajisjet dhe mjetet që janë dhënë dhe trajnimet nga BE”.
Hohmann nënvizoi se, “ne duam që Shqipëria të ketë sukses në këtë përpjekje. Prandaj jemi këtu. BE është këtu për t’ju dhënë mbështetje. Dhe ky projekt për zbatimin e ligjit është këtu për të mbështetur institucionet tuaja. Sipas këtij projekti shtetet anëtare të BE janë edhe një herë të gatshme për të bashkuar forcën me njëra-tjetrën që të japin ekspertizën e duhur, njohuritë, dijen, praktikat e tyre më të mira me Shqipërinë. Ne duhet të punojmë së bashku për një Shqipëri më të sigurt dhe për rrjedhojë dhe një BE më të sigurt”.
Në fjalën e saj ambasadorja Hohmann shprehu gjithashtu solidaritetin e plotë të BE-së për sulmet kibernetike ndaj vendit tonë.
“BE-ja po e mbështet Shqipërinë për të qenë sa më rezistente kundër këtyre sulmeve dhe së bashku me agjencitë e specializuara të shteteve anëtare ne e ndihmojmë Shqipërinë në mënyrë sistemike, në mënyrë që të parandalojë më mirë, të zbulojë, të hetojë dhe të reagojë ndaj këtyre sulmeve më mirë.
EU4LEA është një projekt i financuar nga BE-ja që kontribuon në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Agjencitë ligjzbatuese shqiptare, – veçanërisht Policia e Shtetit Shqiptar, Ministria e Punëve të Brendshme, Struktura e Posaçme Antikorrupsion SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, përfshirë prokuroritë e rretheve – do të asistohen për ta afruar performancën e tyre me standardet më të mira të BE-së. Fushat kryesore të mbështetjes përfshijnë luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionin e nivelit të lartë, krimin mjedisor, si dhe menaxhimin e integruar të kufirit, kontrollin e trafikut rrugor dhe policimin në komunitet.
Fraksion.com