AktualitetPolitikëTë fundit

Çuçi: Hetime të përbashkëta me vendet e BE-së

Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi deklaroi sot se Shqipëria tashmë ka hyrë në një proces të pakthyeshëm, në një fazë rrugëtimi për të qenë anëtare e BE.

Në fjalën e tij në prezantimin e projektit EU4LEA – Bashkimi Evropian për Zbatimin e Ligjit në Shqipëri, Çuçi theksoi se, “kjo e sotmja është vetëm etapa e radhës së bashkëpunimit të gjatë, të frytshëm, strategjik që Shqipëria ka pasur me BE-në në fushën e sigurisë dhe drejtësisë”.

“Falë këtij bashkëpunimi sot ne kemi agjenci ligjzbatuese të cilat denjësisht bashkëpunojnë me vendet anëtare, por jo vetëm, të BE-së si partnere të barabarta. Gjë e cila vetëm disa vite më parë as që mendohej që të realizohej”, tha Çuçi.

“Kemi kaluar nga thjesht shkëmbimi i informacioneve midis agjencive të përbashkëta, në fazën e hetimeve të  përbashkëta me vendet e BE-së, si një skuadër e vetme dhe më tej në vitet e fundit me operacione të përbashkëta me agjencitë ligjzbatuese evropiane”, theksoi Çuçi.

Ky, u shpreh ministri, “është një hap shumë i madh që mbi  të gjitha bazohet mbi besimin e krijuar ndërmjet agjencive tona ligjzbatuese”.

“Ky besim, kjo aftësi për të ndërvepruar, për të qenë bashkë në aksion kundër krimit të organizuar, terrorizmit, trafikimit, sigurisht që nuk do të ishte e mundur nëse ne nuk do të kishim prej shumë vitesh tashmë një partner që na ka asistuar në forcimin e institucioneve tona siç është BE. Prandaj sot është thjesht një konfirmim dhe konsolidim i këtij partneriteti “, u shpreh Çuçi.

“Nga ana tjetër”, shtoi Çuçi, “projekti i ri i bashkëpunimit me BE-në, që tashmë ka ndryshuar edhe brand-in, megjithëse brand-i i kaluar vërtet ka qenë brand, PAMECA. Dhe kur thua PAMECA, besoj jo në këtë sallë, por një pjesë e madhe e shqiptareve dinë të përgjigjen se çfarë është dhe kjo falë suksesit që ka pasur ky projekt. Por tashmë me këtë brand të ri EU4LEA, besoj që ka qenë momenti për të shënuar se tashme ne lëvizim në një ligë tjetër. Dhe kjo ligë është pikërisht fillimi i aderimit të Shqipërisë në BE”.

“Pra projekti në këtë etapë merr një rëndësi tjetër të veçantë sepse do të na shoqërojë ne në një proces shumë të rëndësishëm, të ndërlikuar, siç është procesi i negociatave me BE-në. për aderimin e Shqipërisë në BE. Këtu kapitulli 24 i kontratës tonë me BE-në, është një nga shtyllat kryesore të kësaj kontrate”, tha Çuçi.

Çuçi theksoi se, ” pa u mbyllur dhe pa ecur, pa evoluar, pa u ezauruar kapitulli 24 Shqipëri nuk mund të çelë dhe nuk mund të ecë me kapituj të tjerë. Kështu që kapitulli 24 merr një rëndësi shumë të veçantë në etapën që ne ndodhemi në rrugëtimin tonë drejt BE-së”.

“Pikërisht në këtë moment vjen edhe etapa e radhës, etapa e re e bashkëpunimit midis BE-së dhe Shqipërisë në asistencën që ofron për agjencitë ligjzbatuese të Shqipërisë. Mbi të gjitha do të na mundësojë që ne të mësojmë nga modelet më të mira, jo vetëm ato evropiane, por edhe të vendeve të cilat rishtazi kanë aderuar në BE dhe kanë bërë një rrugë të ngjashme me Shqipërinë vetëm pak vite më përpara”, tha Çuçi.

“Shqipëria tashmë ka hyrë në një proces të pakthyeshëm, në një fazë rrugëtimi për të qenë anëtare e BE dhe hapja e negociatave, jo vetëm na ngarkon me një përgjegjësi të madhe, por na jep edhe mundësinë tonë për të evoluar dhe për t’u transformuar në benefit në të mirë të progresit të Shqipërisë”, theksoi Çuçi.

EU4LEA është një projekt i financuar nga BE-ja që kontribuon në forcimin e shtetit të së drejtës në Shqipëri. Agjencitë ligjzbatuese shqiptare, – veçanërisht Policia e Shtetit Shqiptar, Ministria e Punëve të Brendshme, Struktura e Posaçme Antikorrupsion SPAK, Prokuroria e Përgjithshme, përfshirë prokuroritë e rretheve – do të asistohen për ta afruar performancën e tyre me standardet më të mira të BE-së. Fushat kryesore të mbështetjes përfshijnë luftën kundër krimit të organizuar, korrupsionin e nivelit të lartë, krimin mjedisor, si dhe menaxhimin e integruar të kufirit, kontrollin e trafikut rrugor dhe policimin në komunitet.

 

Fraksion.com