AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha: Qeveria shkatërroi sistemet e policisë për të zhdukur lidhjet me krimin

Kryetari i PD-së Sali Berisha deklaroi sot se qeveria ka shkatërruar të gjitha sistemet e policisë me qëllimin e vetëm për të zhdukur provat që ekzistojnë mbi lidhjet e tmerrshme të Edi Ramës, Ballës, Gjiknurit, Veliajt me krimin.

Në konferencën e përjavshme me gazetarët, Berisha u shpreh se në një akt të paprecedent, të revanshit të krimit në këtë vend dhe këtë shtet, qeveria ka shkatërruar të gjitha sistemet e policisë.

“TIMS-in, databazën e policisë shkencore, e cila përmban çdo gjë rreth kriminelëve dhe grupeve kriminale, ka shkatërruar MEMEX-in dhe faktikisht kemi të bëjmë me një asgjësim total të punës afro 30-vjeçare të Policisë së Shtetit shqiptar.Shkatërrimi i këtyre sistemeve nuk ka asnjë lidhje me sulmet e e-Albania. Shkatërrimi i këtyre sistemeve është bërë me qëllimin e vetëm për të zhdukur provat që ekzistojnë mbi lidhjet e tmerrshme të krimit, për Edi Ramën, Taulant Ballën, Damian Gjiknurin, Erion Veliajn dhe qeveritarë të tjerë. Duke asgjësuar të dhënat e këtyre sistemeve, janë asgjësuar provat materiale të pakontestueshme të këtyre lidhjeve.Edhe në rast se prokuroria, për aksident ka në diskonim në dosje të dhëna të tilla, ato valorizohen vetëm duke u gjetur në arkivën e tyre.Dënoj këtë akt, ndër më të papërgjegjshmit dhe më të rrezikshmit. Sot gjurmët e gishtave të çdo shqiptari janë në çdo vend që dëshiron t’i ketë. Sot, asgjë, asnjë urdhër nuk mund të zbatohet më, bazuar në dokumentim shkencor.E sigurt është se ky është një bashkëpunim qeveritaro-policesk, ky është një operacion i paprecedent në ndonjë vend, përveçse në shtetin e mafies, në Shqipëri”, tha ai.

Po ashtu, Berisha deklaroi se në operacionin e shkatërrimit të infrastrukturës dixhitale në Shqipëri, janë përfshirë hakera të qeverisë, hakera rusë dhe serbë.

“Dua të informoj shqiptarët me përgjegjësi të plotë, nga burime të trefishta, se në operacionin e shkatërrimit të infrastrukturës dixhitale në Shqipëri, janë përveç të tjerash edhe hakera të qeverisë, hakera rusë dhe serbë.Kjo është një e vërtetë e konfirmuar për opozitën nga burime shumë serioze.E thashë këtë jo për të ekzoneruar rolin e një fuqie armike siç është Irani, por për t’u thënë të vërtetën shqiptarëve, që ia fsheh Edi Rama dhe klika e tij. Shqiptarët janë dëshmitarë se hakerimi masiv i të dhënave dixhitale personale filloi me dorëzimin e këtyre të dhënave te patronazhistët, vazhdoi me dorëzimin e targave, e letërnjoftimeve”, tha ai.

 

Fraksion.com