AktualitetBota+RajoniTë fundit

Vuçiç: Asambleja e Përgjithshme e OKB-së “e pafuqishme dhe e paqartë”

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç e konsideron Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së “të pafuqishme dhe të paqartë”. Në fjalën e tij në OKB, ai vuri në dukje se Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës, ndërkohë që shtoi se edhe Serbia duhet të ketë të njëjtat të drejta bazuar në ligjin ndërkombëtar për të luftuar kundër pavarësisë së Kosovës, ashtu si Ukraina po lufton për rajonet e pushtuara nga separatistët pro-rusë.

Presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiç e quajti “të pafuqishme dhe të paqartë” Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, ndërsa fliste përpara delegatëve në takimin vjetor në Nju Jork.

“Serioziteti i momentit më detyron të ndaj me ju fjalë të vështira, por të vërteta. Gjithçka që po bëjmë sot këtu duket e pafuqishme dhe e paqartë. Fjalët tona kanë një eko boshe krahasuar me realitetin me të cilin përballemi. Dhe realiteti është se askush nuk po dëgjon askënd këtu. Askush nuk përpiqet për marrëveshje të vërteta, për zgjidhje problemesh, dhe pothuajse të merren vetëm me interesin e tyre”, tha presidenti serb.

Zoti Vuçiç vuri në dukje se Serbia mbështet integritetin territorial të Ukrainës, por shtoi se Serbia gëzon të njëjtat të drejta sipas ligjit ndërkombëtar që të luftojë kundër pavarësisë së Kosovës, ashtu siç ka Ukraina për rajonet e pushtuara nga separatistët pro-Moskës.

“Shumë thonë se ky ishte konflikti i parë në territorin evropian që pas Luftës së Dytë Botërore. Por e vërteta është se integriteti territorial i një vendi në Evropë, i Serbisë në fakt, e cila nuk sulmoi një vend tjetër sovran, u shkel, dhe vazhdimisht nuk përmendet. Kërkojmë një përgjigje të qartë për pyetjen që u kam drejtuar bashkëbiseduesve të mi, drejtuesve të shumë vendeve gjatë viteve. Cili është dallimi mes sovranitetit dhe integritetit territorial të Ukrainës dhe sovranitetit dhe integritetit territorial të Serbisë, që u shkel rëndë dhe ju i dhatë njohje dhe legjitimitet ndërkombëtar? Të paktën një pjesë e juaja”, tha zoti Vuçiç.

Dhjetë vite pasi NATO ndërhyri për të ndalur masakrat serbe ndaj shqipëtarëve të Kosovës, Kosova shpalli pavarësinë e saj, që Serbia refuzon ta njohë.

Ndër vendet që synojnë të anëtarësohen në Bashkimin Evropian, Serbia është e vetmja që ka refuzuar t’u bashkohet sanksioneve ndërkombëtare ndaj Rusisë për sulmin në Ukrainë.

Presidenti serb Vuçiç shpesh krenohet me lidhjet e tij të ngushta me Presidentin rus Vladimir Putin.

Kryeqyteti serb Beogradi është bërë një destinacion popullor për rusët gjatë luftës në Ukrainë dhe pjesës më të madhe nuk u nevojiten viza për të hyrë në Serbi. Gati 50 mijë rusë janë zhvendosur për në Serbi që kur Rusia filloi sulmin në Ukrainë. Shumë prej tyre kanë hapur biznese kryesisht në fushën e teknologjisë së informacionit.

 

Fraksion.com