AktualitetBota+Të fundit

SHBA, Senati konfirmon ish-drejtoren e Zërit të Amerikës Amanda Bennett, për të kryesuar USAGM-në

Senati amerikan konfirmoi të enjten për postin e drejtores ekzekutive të Agjencisë Amerikane për Media Globale (USAGM), ish-drejtoren e Zërit të Amerikës, Amanda Bennett, e cila ishte emëruar nga Presidenti Joe Biden,

Me 60 pro dhe 36 kundër, Senati i kontrolluar ngushtë nga Demokratët miratoi zonjën Bennett për të kryesuar për një mandat trevjeçar, agjencinë federale që mbikëqyr Zërin e Amerikës dhe entitete të tjera transmetuese ndërkombëtare.

Pas votimit, drejtorja ekzekutive në detyrë e USAGM-së Kelu Chao vlerësoi përvojën dhe vizionin e zonjës Bennett dhe tha se ajo është personi i duhur për ta ndihmuar agjencinë që të “përballet me kërcënimet ndaj mediave të pavarura dhe për të depërtuar tek audiencat në nevojë”.

“Sot më shumë se kurrë, njerëzit në mbarë botën kanë nevojë për lajmet e bazuara në fakte të USAGM-së për të triumfuar mbi dezinformimin dhe censurën në rritje. Unë dhe gjithë agjencia jonë mirëpresim Amandën në këtë moment vendimtar për lirinë dhe demokracinë,” tha zonja Chao.

Rreth 394 milionë vetë kanë qasje në programet e USAGM-së çdo javë. Agjencia e financuar nga fonde federale e mbikëqyrur nga Kongresi i Shtetet e Bashkuara ka dy entitete federale, Zërin e Amerikës dhe Zyrën e Transmetimeve për Kubën dhe katër organizata jofitimprurëse – Radio Evropa e Lirë/Radio Liria, Radio Azia e Lirë, Rrjeti Transmetues i Lindjes së Mesme dhe Fondi i Hapur për Teknologjinë.

Zonja Bennett ka shërbyer si redaktore ekzekutive në Bloomberg News dhe ka qenë kryeredaktore e gazetës Oregonian. Ajo gjithashtu ka qenë gazetare për gazetën The Wall Street Journal për më shumë se dy dekada, përfshirë si korrespondente në Pekin. Ajo është autore e gjashtë librave joartistikë dhe ka ndarë dy herë çmimin Pulitzer me kolegët e saj, në 1997 në gazetën The Wall Street Journal dhe përsëri në 2001 në gazetën The Oregonian.

Ajo shërbeu si drejtore e Zërit të Amerikës nga viti 2016 përpara se të jepte dorëheqjen në qershor 2020, përpara se Michael Pack të merrte postin e drejtorit ekzekutiv të USAGM-së. Zoti Pack u emërua nga presidenti i atëhershëm Donald Trump.

Zoti Pack emëroi Robert Reilly-n në dhjetor 2020 për të pasuar zonjën Bennett. Pak minuta pasi presidenti Biden bëri betimin më 20 janar 2021, ai i kërkoi zotit Pack të jepte dorëheqjen dhe emëroi drejtoren e programeve të Zërit të Amerikës, Kelu Chao si drejtore ekzekutive në detyrë të USAGM-së. Zonja Chao e shkarkoi zotin Reilly si drejtor i Zërit të Amerikës një ditë më vonë.

Zonja Bennett është përballur me kritika nga disa republikanë që nga seanca e konfirmimit të saj më 7 qershor, kur ajo i tha Komisionit të Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit se do të çonte përpara misionin e objektivitetit dhe raportimit të balancuar të USAGM-së në një kohë kur dezinformimi është në rritje globalisht.

Fondacioni Ligjor Amerika e Parë, një organizatë jofitimprurëse e qendrës së djathtë e themeluar nga ish-zyrtarë të lartë të administratës së ish-presidentit Donald Trump, i kërkoi zotit Biden ta tërhiqte emërimin e zonjës Bennett, duke përmendur pretendimet për “sigurinë kombëtare dhe dështimet e lidhura me të” kur ajo ishte drejtore e Zërit të Amerikës.

Kritika kryesore e grupit është se zonja Bennett drejtonte rrjetin më të madh të USAGM-së, Zërin e Amerikës, në një kohë kur departamentet e tjera qeveritare paralajmëruan drejtuesit e USAGM-së për “mangësitë” në certifikatat e sigurisë të punonjësve të agjencisë, disa prej të cilëve me poste të ndjeshme.

Një raport i korrikut 2020 nga Zyra e Menaxhimit të Personelit zbuloi se procesi i verifikimit të sigurisë për 1,527 punonjës të USAGM-së, ose rreth 40% e punonjësve të tyre, kishte pasur të meta gjatë 10 viteve të mëparshme, duke e shtyrë Zyrën e Menaxhimin t’ia hiqte USAGM-së autoritetun për të kryer vetë verifikimin e të punësuarve të saj.

Pas miratimit të emërimit të saj në Komisonion e Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit, senatori republikan Marco Rubio i tha Zërit të Amerikës:

“Kisha disa pyetje në lidhje me mënyrën se si (Zëri i Amerikës) e trajtoi intervistën me disidentin e njohur kinez kur ajo ishte drejtore atje”, tha ai.

Senatori Rubio i referohej vendimit të zonjës Bennett të vitit 2017 për të shkurtuar një intervistë të planifikuar tre-orëshe, drejtpërdrejt nga Shërbimi Mandarin i Zërit të Amerikës me miliarderin kinez në mërgim dhe kritikun e njohur të Pekinit Guo Wengui, dhe për të shkarkuar shefen e atëhershme të Shërbimit Mandarin Sasha Gong dhe punonjës të tjerë që kishin kundërshtuar udhëzimet në lidhje me kohëzgjatjen dhe trajtimin e intervistës.

Kritikët e zonjës Bennett e akuzuan atë se iu nënshtrua presionit të qeverisë kineze për t’i mbyllur gojën zotit Guo. Por zyra e Zërit të Amerikës për marrëdhëniet me publikun tha se rishikimi i incidentit nga palët e treta “arrin në përfundimin se vendimi për të kufizuar intervistën e drejtpërdrejtë ishte bazuar vetëm dhe në përputhje me praktikat më të mira gazetareske”.

Emërimi i zonjës Bennett u miratua nga Komisioni i Marrëdhënieve me Jashtë të Senatit në bllok këtë qershor, që do të thotë se ajo u miratua së bashku me të emëruarit e tjerë pa një votim të regjistruar.

“Udhëheqja e saj është thelbësore në një kohë të rigjallërimit të autoritarizmit në mbarë botën – për t’u siguruar që njerëzit që jetojnë nën regjime represive jo vetëm të kenë qasje në informacion të saktë, por edhe që të shohin një model të shkëlqyer gazetarie në praktikë,” i tha Zërit të Amerikës në fillim të këtij viti ambasadorja amerikane Karen Kornbluh , ish-anëtare e bordit drejtues të USAGM-së./VOA

 

Fraksion.com