AktualitetPolitikëTë fundit

Ku është Ervis Martinaj? Rama: Kjo ishte arsyeja kryesore pse shkarkuam Gledis Nanon!

Kryeministri Edi Rama është shprehur se arsyeja kryesore përse kanë shkarkuar Gledis Nanon, ishte sepse Policia gjatë drejtimit të tij nuk kishte asnjë përgjigje se çfarë po ndodhte me fatin e një prej personazheve më të njohur në botën e krimit, Ervis Martinaj. Takimin e Nanos me agjentin e Forcave Operacionale, Jeton Lami që shoqëronte Ervis Martinajn e mohon dhe e cilëson si legjendë urbane.

“Ku është Ervis Martinaj? E theksova, se kjo ishte ndoshta dhe arsyeja kryesore që ne e pamë të udhës që t’i kërkojmë një hap pas, se është e papranueshme që vendi të jetoj në një ‘Big Brother’ të kronikës së zezë,  me spekulant që hedhin versionesh dhe me median që ushqen këtë telenovelë. Shpresoj dhe besoj që shumë shpejti policia duhet të dalë me versionin zyrtar. Policia ka shumë më tepër se ca kanë të tjerët, po duhet të kenë qartësi kur bën komunikim zyrtar”, tha Rama.

Në një intervistë televizive, ai u shpreh se po mbahet i informuar nga policia, e cila e ka një version, por po vijon hetimet për të sigurar më shumë prova.

“Unë jam vazhdimisht i informuar nga Policia e Shtetit. Problemi është që duhet të ketë një version që bazohet në prova, policia ka më shumë se çfarë se kanë të tjerët, por duhet të ketë qartësi kur e bën një qartësi kur e bën një version zyrtar. Uroj që ta ketë shpejt një version sepse nuk mund të marrë kohë pafundësisht”, tha Rama.

Zhdukja e tij, për Ramën nuk ka asnjë lidhje me lojërat e fatit. Kjo pasi sipas të parit të qeverisë nuk ka një rikthim të lojërave të fatit, por vetëm basteve online. Kështu, iu përgjigjet të gjithë akuzave se qeveria ka në plan që të rikthejë lojërat e fatit në vend, duke theksuar se i qëndron ende operacionit ‘Fundi i Marrëzisë’.

“Halucinante dhe kriminale, sepse çështja e lojërave të fatit është shumë e qartë, s’ka lidhje me teoritë e konspiracionit, nuk ka shans që të rikthehen lojërat e fatit, ne kemi një problem të vetëm që ka të bëj me bastet sportive online”, u shpreh kryeministri

Ndër të tjera, përtej Ervis Martinajt, Gledis Nano u soll si një figurë e re që do të sillte ndryshimin në filozofinë e Policisë së Shtetit, por për kreun e qeverisë nuk rezultoi i tillë në terren. Ai listoi një sërë gabimesh që bëri Nano si Drejtor i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, në rrugëtimin e tij të shkurtër në krye të këtij institucioni të rëndësishëm për rendin dhe sigurinë.

“Që nga rishfaqja e disa parcelave me kanabis pranë zonave urbane tek duart e zgjatura te uniformave blu për të marrë ryshfete nëpër rrugë dhe tek seria e vrasjeve pa përgjigje të periudhës së fundit dhe situatën e pakëndshme në raport me disiplinimin e sezonit turistik. Të gjitha këto kërkonin shkundje”, theksoi ai.

 

Fraksion.com