Blinken propozon largimin e Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut
Ndërkohë që Sekretari Amerikan i Shtetit Antony Blinken dënoi abuzimet e Rusisë në lidhje më të drejtat e njeriut dhe shkeljet e ligjit ndërkombëtar humanitar me sulmet e saj ndaj Ukrainës, ai hodhi idenë e largimit të Rusisë nga Këshilli i OKB-së për të Drejtat e Njeriut gjatë fjalimit para Këshillit mëngjesin e sotëm.
“Me të drejtë mund të bëhet pyetja nëse një shtet anëtar i OKB-së që përpiqet të marrë nën kontroll një shtet tjetër anëtar të OKB-së – ndërkohë që kryen abuzime të tmerrshme të të drejtave të njeriut dhe shkakton vuajtje masive humanitare – duhet të lejohet të qëndrojë në këtë Këshill”, tha Blinken.
Në Këshill janë 47 shtete anëtare, të cilat zgjidhen nga Asambleja e Përgjithshme e OKB-së, ku Rusia është një prej tyre.
Blinken kritikoi edhe vende si Kina, të cilat nuk e kanë deklaruar qartë se Rusia është autori i vetëm i kësaj krize.
“Anëtarët e këshillit duhet të ndalojnë përdorimin e gjuhës që nënkupton se të gjitha palët mbajnë përgjegjësi të barabartë për sulmin e paprovokuar nga njëra palë. Kjo nuk është paanshmëri, është e gabuar, dhe nuk vendos përgjegjësinë aty ku duhet. E njëjta gjë vlen edhe për anëtarët që argumentojnë, në mënyrë të rreme, se denoncimi i shkeljeve të të drejtave të njeriut po ‘politizon’ situatën.”tha Blinken.
Blinken sfidoi UNHRC-në që të bashkohej për të parandaluar një luftë edhe më vdekjeprurëse.
“Këto janë shkeljet e të drejtave të njeriut që ky Këshill është krijuar për të ndaluar. Nëse nuk mund të
bashkohemi tani, kur do të bashkohemi?” tha Blinken.
Fraksion.com