AktualitetBota+Të fundit

Ukraina: Granatimet ruse shkaktuan ndërprerje të energjisë në Zaporizhja

Centrali bërthamor i Zaporizhjas u vu gjatë natës nën zjarrin rus, duke shkaktuar ndërprerje të energjisë në objekt, tha agjencia shtetërore ukrainase përgjegjëse për këtë central.

Zaporizhja është qytet në juglindje të Ukrainës, ku ndodhet centrali më i madh bërthamor në Evropë. Ky central është okupuar nga forcat ruse pak kohë pasi Moska nisi pushtimin e Ukrainës më 24 shkurt.

Në një deklaratë më 21 shtator, operatori shtetëror bërthamor ukrainas, Enerhoatom, tha se granatimet kishin dëmtuar pajisjet e reaktorit të vetëm funksional – njësia numër 6 – në uzinë.

“Për shkak të humbjes së energjisë, u aktivizuan në mënyrë emergjente të dy gjeneratorët me naftë të sistemeve të sigurisë, që garantojnë funksionimin e pompave të ftohjes së karburantit”, tha Enerhoatom.

Luftimet përreth centralit kanë rritur shqetësimet për një fatkeqësi të mundshme bërthamore.

Rusia ka akuzuar Ukrainën se po tenton që të marrë me forcë kontrollin e centralit, por këto akuza janë hedhur poshtë nga Kievi.

Ukraina dhe Perëndimi e akuzojnë Rusinë për vendosjen e armatimeve të rënda në central, duke e ditur se Ukraina nuk do të përgjigjet me zjarr. Moska mohon këto akuza dhe u ka rezistuar thirrjeve për çarmatosjen e zonës me qëllim që të shmanget një katastrofë mjedisore./rel

 

Fraksion.com