Presidenti Putin shpall mobilizim të pjesshëm në Rusi
Presidenti rus Vladimir Putin njoftoi të mërkurën një mobilizim të pjesshëm në Rusi, pasi lufta në Ukrainë po mbush shtatë muaj dhe Moska humbet terren në fushën e betejës. Presidenti Putin gjithashtu paralajmëroi perëndimin se “nuk është blof” që Rusia do të përdorë të gjitha mjetet për të mbrojtur territorin e saj.
Fjalimi televiziv i udhëheqësit rus drejtuar kombit, vjen një ditë pasi rajonet e kontrolluara nga Rusia në Ukrainën lindore dhe jugore, njoftuan planet për të mbajtur referendume për t’u bërë pjesë e Rusisë. Përpjekjet e mbështetura nga Kremlini për të gëlltitur katër rajone mund të krijojnë rrethanat që Moska të përshkallëzojë luftën pas sukseseve të Ukrainës.
Presidenti Putin akuzoi Perëndimin për përfshirje në “shantazh bërthamor” dhe vuri në dukje “deklaratat e disa përfaqësuesve të rangut të lartë të shteteve kryesore të NATO-s për mundësinë e përdorimit të armëve bërthamore të shkatërrimit në masë kundër Rusisë”.
“Atyre që i lejojnë vetes deklarata të tilla në lidhje me Rusinë, dua t’ju kujtoj se edhe vendi ynë ka mjete të ndryshme shkatërrimi … dhe më moderne se ato të vendeve të NATO-s dhe kur kërcënohet tërësia tokësore e vendit tonë, për të mbrojtur Rusinë dhe popullin tonë, ne me siguri do të përdorim të gjitha mjetet që kemi në dispozicion”, tha presidenti Putin.
“Nuk është një blof”, shtoi ai.
Presidenti rus tha se ka nënshkruar një dekret për mobilizimin e pjesshëm, i cili do të hyjë në fuqi të mërkurën.
“Po flasim për mobilizim të pjesshëm, pra vetëm qytetarët që janë aktualisht në njësitë rezervë do t’i nënshtrohen rekrutimit dhe mbi të gjithë, ata që kanë shërbyer në forcat e armatosura dhe kanë një specializim të caktuar ushtarak dhe përvojë përkatëse”, tha ai.
Ministria ruse e Mbrojtjes tha se mobilizimi i pjesshëm do të përfshijë rreth 300 mijë trupa rezervë.
Referendumet, të cilat pritej të zhvillohen që në muajt e parë të luftës, do të fillojnë të premten në rajonet e Luhanskut, Khersonit dhe rajonet pjesërisht të kontrolluara nga Rusia të Zaporizhias dhe Donetskut.
Presidenti Putin tha se vendimi për mobilizimin e pjesshëm është i duhur “për kërcënimet me të cilat përballemi, përkatësisht për të mbrojtur atdheun tonë, sovranitetin dhe tërësinë tonë tokësore dhe për të garantuar sigurinë e popullit tonë dhe qytetarëve në territoret e çliruara”.
Më herët të mërkurën, presidenti ukrainas Volodymyr Zelenskyy, hodhi poshtë planet ruse për të organizuar referendume në rajonet e pushtuara në Ukrainën lindore dhe jugore dhe falënderoi aleatët e Ukrainës për dënimin e votimeve të planifikuara të fillojnë të premten./VOA
Fraksion.com