AktualitetPolitikëTë fundit

Hapja e dosjeve, Mediu: Të përjashtojmë të përndjekurit politik, nuk kemi moral. Përgjigja e Alibeajt

Kryetari i Partisë Republikane, Fatmir Mediu bëri thirrje sot të mos hapen dosjet e ish të përndjekurve politikë, pasi siç tha ai do ti shtoheshin vuajtjet dhe mundimet këtyre familjeve.

Duke folur në Komisionin e Ligjeve ku po diskutohen dy nisma të PS-së dhe PD-së për dosjet, Mediu u shpreh se shtresa e të përndjekurve duhet të përjashtohet nga deklasifikimi i dosjeve.

Në përgjigje të kërkesës së tij, Enkelejd Alibeaj tha se “e vërteta bën të lirë këdo”.

Debati

 

 

Felaj:  Paragrafi 4 i nenit 29 ndalon autoritetin të verifikojë personat që do të kandidojnë në rast se ata kanë marrë një certifikatë pastërtie nga dy komisionet e mëparshme. Unë nuk dua të gjykoj vendimmarrjen e kohës, por dy tekstet e mëparshme janë shumë minimaliste. Të dy ligjet janë mbështetur në dispozitat kushtetuese kur ne ende nuk e kishim miratuar kushtetutën në vitin 1998. Vendimmarrja e Autoritetit sot nuk është përfundimtare, pasi mund të ankimohet në gjykatë. Fryma e ligjit për autoritetin e dosjeve i konsideron të deklasifikuara nga momenti që ato merren nga autoriteti. Por autoriteti ka detyrim që të ruajë të dhënat personale. Do të isha për tolerancën që këto dokumente të hapen, por rast pas rasti të vendosë Autoriteti kur ka raste të cënimit të sigurisë kombëtare dhe të dhënave personale. Nuk kam asgjë kundër të asaj që propozon zoti Alibeaj.

Mediu: të hapen dosjet, por nuk mund ti bëjmë moral ish të përndjekurve politikë. Ka histori të presioneve brenda familjes që ne nuk mund ti rindezim. Nëse nuk u dhamë mundësinë që për këto krime nuk ka asnjë përgjegjës sot, të paktën të mos u shtojmë mundimet brenda familjeve. Vetë shteti funksionon bazuar mbi balancën e pushteteve. Nuk fillon çdo gjë kur na do qejfi ne për të goditur politikisht. Do të ishte e drejtë që të orientohemi drejtë transparencës. Shtresën e të përndjekurve politikë duhet ta përjashtojmë për të mos i shtuar më shumë se çka kaluar në këto 30 vite.

Bushka: Nisma është tërësisht në përputhje me të drejtën e publikut për transparencë dhe të drejtë informimi. Është për ata persona që mund të ushtrojnë funksione publike. Është një simbolikë e fuqishme për brezat e ardhshëm. Mund të keni të drejtën tuaj ta paragjykoni.

Mediu: Hiqni dorë nga hapja e dosjeve për të përndjekurit politikë.

Alibeaj: Jam i prirur të shoh dhimbjen që ka ndodhur ndaj të gjithë pjesës së të persekutuarve politikë. Dilema ka qenë kjo: të mos hapim dosjet se mund të ketë pasur raste kur vrazhdësia e ish sigurimit mund të ketë shkuar brenda familjeve të ish të përndjekurve politikë. Por kjo ka edhe rastin tjetër që vrazhdësia e ish sigurimit nuk do të dilte asnjëherë.

Kjo lloj dileme na ka shoqëruar ne gjatë gjithë kohës. Ajo që kam bindjen që duhet të ndodhë është: e vërteta na bën të lirë. Edhe ish të përndjekurit politikë që kundër dëshirës së tyre, të shtyrë, të shantazhuar, nën presion mund të jenë thyer nga presioni komunist, shoqëria shqiptare sot, por edhe familjet e tyre, do të duhet të kuptojnë që shkak nuk ka qenë thyerja e tyre, por ka qenë kriminaliteti i shtetit komunist.

 

Fraksion.com