Dialogun Kosovë-Serbi; Osmani takohet me Escobarin në Nju Jork
Për dialogun Kosovë-Serbi është diskutuar në takimin mes presidentes, Vjosa Osmani, të dërguarit amerikan për Ballkanin Perëndimor, Gabriel Escobar dhe këshilltarit të Departamentit të Shtetit të SHBA-së, Derek Chollet.
Takimi është zhvilluar në Nju Jork, ku po mbahet Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara.
Në njoftimin e 21 shtatorit të lëshuar nga Zyra e Presidencës, thuhet se Osmani theksoi nevojën për të ecur përpara me procesin e dialogut me Serbinë, “të përqendruar në njohjen reciproke”.
“Presidentja Osmani, potencoi nevojën që Serbia t’i zbatojë obligimet e saj nga marrëveshja për udhërrëfyesin e energjisë dhe nevojën urgjente që të arrihet sukses sa i përket marrëveshjes për të zhdukurit me dhunë”, thuhet në njoftim.
Një ditë më herët, shefi i Politikës së Jashtme dhe Sigurisë, Josep Borrell u takua në Nju Jork me gjashtë liderët e Ballkanit Perëndimor.
Ai tha se ka biseduar me ta për ndikimin që po ka në rajon dhe botë pushtimi i paprovokuar rus i Ukrainës, si dhe, u ka premtuar atyre se blloku evropian do tu ndihmojë për të rritur sigurinë energjetike dhe për të adresuar “kërcënimet hibride, përfshirë ato kibernetike”.
Fraksion.com