AktualitetNATO/BETë fundit

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s bashkohet me liderët botërorë në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s Jens Stoltenberg iu bashkua udhëheqësve botërorë në Nju Jork në hapjen e Debatit të Nivelit të Lartë të Sesionit të 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara të martën (20 shtator 2022).

Tema e këtij viti – “Një moment vendimtar: zgjidhje transformuese për sfidat e ndërlidhura” – pranon se bota është në një moment kritik për shkak të krizave komplekse dhe të ndërlidhura, duke përfshirë luftën e Rusisë në Ukrainë, pandeminë COVID-19 dhe ndryshimet klimatike.

Të martën, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s zhvilloi një takim dypalësh me presidenten moldave Maia Sandu për të diskutuar luftën e Rusisë në Ukrainë dhe për të përsëritur mbështetjen e vazhdueshme të NATO-s për vendet partnere, duke përfshirë Moldavinë. Ndërsa ndodhet në Nju Jork, Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s është planifikuar të takohet dhe të shkëmbejë mendime me liderë dhe zyrtarë të tjerë.

Në përgjigje të njoftimit se e vetëshpallura “Republika Popullore e Donetskut” dhe “Republika Popullore e Luhanskut” do të mbajnë referendume për t’u bërë pjesë e Rusisë, Stoltenberg tha, se “referendumet e rreme nuk kanë legjitimitet dhe nuk ndryshojnë natyrën e luftës të agresioni të Rusisë kundër Ukrainës. Ky është një përshkallëzim i mëtejshëm në luftën e Putinit. Komuniteti ndërkombëtar duhet të dënojë këtë shkelje flagrante të ligjit ndërkombëtar dhe të rrisë mbështetjen për Ukrainën.”

NATO dhe Kombet e Bashkuara ndajnë një angazhim për ruajtjen e paqes dhe sigurisë ndërkombëtare dhe kanë zgjeruar bashkëpunimin e tyre gjatë dekadës së fundit. Në fillim të këtij viti, aleatët e NATO-s miratuan një Koncept të ri Strategjik, i cili përforcoi synimin e Aleancës për të mbajtur një perspektivë globale dhe për të punuar ngushtë me partnerët, duke përfshirë organizatat ndërkombëtare.

 

Fraksion.com