Lobimi i selfie-ve dhe mungesa e një linje institucionale e shtetërore!
Vjeshta në fakt erdhi thuajse më e nxehtë se vera për nga temperaturat, por thuajse krejt e ftohtë politikisht! Kur gjërat duken se janë normale në aparencë, por mund të jenë shumë të trazuara në realitet! Në fakt ngjarjet që po ndodhin në Shqipëri paralajmërojnë fortuna e tsuname!
Ky sistem politik dhe kjo mënyrë e te bërit shtet dhe politikë është drejt fundit! Në këto 30 vite ka ndodhur një konsumim i tepruar në sasi e cilësi! Po fundi nga kush do të vij? Nëse mendoni se fundi do të vij me votë e keni shumë gabim! Me votë e me zgjedhje të lira këta do të jenë gjithmonë aty! As fundi i Republikës i Italiane nuk erdhi përmes votos, sepse italianët i votonin e ata qeverisnin! Por fundi në Itali erdhi nga vetë sistemi, çfarë ai kishte prodhuar me norma juridike e me aksione politike! Kështu do të ndodh edhe me këtë sistemin tonë politik të kalbëzuar!
Politikanët tanë të kapur nga paniku për bëmat e tyre janë një garë të egër për t’i bërë “gropën” shokut e me shpresën për të shpëtuar veten! Kjo garë, jo vetëm që nuk do të shpëtojë askënd, por gropa po bëhet gjithnjë e më e madhe sa do t’i marrë të gjithë brenda në një “varr masiv politik”. Kjo lloj gare do të ndez denoncimet reciproke duke rritur numrin e skandaleve e duke përshpejtuar fundin e vetë sistemit!
Në këtë lloj sherri hijenash është hapur një garë e shpallur kush shkon në SHBA, kush takon më shumë senatorët, kush bën selfi përballë Kongresit, në ndonjë kafe në Washington apo kush takon e bën foto kolektive me “Vatrën”. Këtë gjë në Shqipëri protagonistët e quajnë lobim e madje e konsiderojnë të suksesshëm!
Po çfarë tregon ky lloj lobimi? Përveç se dëshmon situatën e tyre dëshpëruese ku ndodhen, tregon edhe injorancën e paditurinë që kanë politikanët dhe shtetarët tanë ndaj institucioneve dhe historisë së ShBA-ve! Historia e interesave të Shqiptarëve kundrejt SHBA-ve ka qenë e suksesshme përmes këtyre formave:
– Për shkak të politikanëve shtetërore të SHBA-ve që nga presidenti Wilson
– Përputhja e interesave kombëtare të SHBA-ve me Shqipërinë
– Për shkak të disa personaliteteve të veçantë amerikane si DioGuardi, Eliot e të ngjashëm që kanë lobuar e kanë diktuar në vendimet pro amerikane për Shqipërinë! Njeriu me kontributet më të mëdha për Shqipërinë e që nuk është vlerësuar ashtu siç e meriton është padyshim ish kongresmeni Dioguardi që për shkak të origjinës së tij arbëreshe, por edhe për shkak të pasionit e ndjeshmërisë që ka pasur e vazhdon të ketë për kauzat shqiptare!
– Gjithashtu edhe vizitat në cilësinë e kreut të shtetit të Berishës për herë të parë në Shtëpinë e Bardhë, por edhe vizitat e vazhdueshme të Ibrahim Rugovës e sollën në qendër të vëmendjes kauzën shqiptare!
Takimet e rastësishme, të sforcuara të konkluduara me selfie në vitet e fundit të politikanëve tanë me politikanë apo shtetarë amerikanë nuk kanë sjellë asnjë rezultat në vendimmarrje e institucioneve amerikane! Ky lloj lobimi që u ka kushtuar mijëra euro politikanëve e liderve shqiptarë është përdorur vetëm si mjet karshilliku ndaj kundërshtarëve dhe po ashtu është keqpërdorur edhe si mjet manipulues për të shitur mbështetjen amerikane për konsensus elektoral në prag zgjedhjesh!/shqiptarja.com
Fraksion.com