AktualitetPolitikëTë fundit

Ambasadorja Kim: SHBA, mbështetje Shqipërisë ndaj sulmeve kibernetike të Iranit

Ambasadorja e SHBA në Tiranë, Yuri Kim mori pjesë sot në ditën e parë të eventit “Qytetet Inteligjente – Konferenca Rajonale e Vendeve të Ballkanit Perëndimor”, organizuar nga  Dhoma Amerikane e Tregtisë në Shqipëri

Në fjalën e saj, Kim u shpreh se, drejtuesit vendorë kanë veçanërisht një rol shumë të rëndësishëm në një demokraci, sepse kanë një lidhje më të ngushtë me bashkëqytetarët e tyre dhe ofrojnë disa nga mënyrat më domethënëse për të përmirësuar jetën e tyre.

“Ju gjithashtu e dini vetë më mirë se të gjithë ne se për çfarë kanë nevojë të gjithë qytetarët e të gjitha moshave dhe të gjitha prejardhjeve për të bërë një jetë më të sigurt, më të lumtur dhe më produktive”, tha Kim.

“Ju gjithashtu i dini kërcënimet dhe rreziqet me të cilat përballen zgjedhësit tuaj çdo ditë, aksesin në shërbime, mbrojtja nga krimi. Dhe siç e kemi parë rishtazi në Shqipëri gjatë muajve të fundit, mbrojtje nga aktorë keqdashës që kërkojnë të hakerojnë dhe të prishin jetën e qytetarëve. Dhe do të thotë persona të cilët përpiqen që të minojnë besimin në demokraci”, u shpreh Kim.

Kim theksoi se, “SHBA-të janë këtu për të ndihmuar” dhe shtoi ajo, “organizimi i kësaj konference është një nga mënyrat sesi mund ta bënim këtë. Ne donim që të sillnim mendjet më të ndritura së bashku”.

Kim u shpreh krenare që, “këtu në Shqipëri kemi ndihmuar me masat e sigurisë kibernetike përpara, gjatë dhe që prej sulmeve kibernetike të pamatura dhe të papërgjegjshme të Iranit kundër qeverisë shqiptare dhe në fakt edhe kundër popullit shqiptar”.

“Në përgjithësi SHBA-të po punojnë gjithmonë me aleatët dhe partnerët tanë për mënyrat sesi të mbrojmë qeveritë dhe njerëzit tanë nga përdorimi keqdashës i teknologjive të reja. Po për shkak të varësisë së qytetarëve tanë nga teknologjia dhe risqet e vazhdueshme për sigurinë dhe privatësinë e tyre nga aktorë keqdashës, ne të gjithë kemi nevojë për partneritete mes qeverive dhe me sektorin privat, dhe për t’i mbajtur njerëzit tanë, bizneset tona dhe demokracitë tonë të sigurta”, tha Kim.

“Ne të gjithë e dimë që rreziqet janë atje jashtë, ne e kemi parë këtë”, shtoi Kim e cila nënvizoi se, “qeveritë autoritare avancojnë agjendat e tyre duke eksportuar teknologji”

Kim shtoi se këto regjime “mbledhin të dhënat e qeverive dhe qytetarëve për t’i përdorur ato për diçka tjetër. Këto regjime autoritare prodhojnë teknologji për t’u shërbyer objektivave të tyre politike në kurriz të privatësisë dhe sigurisë së klientëve të tyre”.

“Shtete të tjera sponsorizojnë sulme kibernetike për të vjedhur, për të prishur ose për të shkatërruar të dhënat e qytetarëve edhe sistemet digjitale që na mbrojnë ne të dashurit tanë dhe sigurinë tonë kombëtare”, theksoi Kim.

 

Fraksion.com