“A do e largonit grupimin e iranianëve të strehuar në Shqipëri pas sulmeve kibernetike?”, Rama: Shqiptarët u detyrohen shumë amerikanëve
Kryeministri Edi Rama në një intervistë për gazetarët Susanne Koelbl dhe Walter Mayr të medias gjermane ”Der Spiegel” foli për sulmin kibernetik iranian kundër Shqipërisë.
I pyetur nga gazetarët, ai tregoi nëse do të merrte vendimin që të largonte iranianët e strehuar në Shqipëri.
DER SPIEGEL: Zoti kryeministër, Shqipëria ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me Iranin pak ditë më parë. Diplomatët kishin vetëm 24 orë kohë për t’u larguar nga vendi. Çfarë fshihet pas kësaj?
Edi Rama: Irani sulmoi vendin tonë me një sulm masiv kibernetik. Qëllimi ishte të shkatërroheshin të gjitha shërbimet digjitale të qeverisë që ne kemi ndërtuar me shumë mund përgjatë shumë viteve. Falë specialistëve tanë të IT-së, ekspertëve nga Microsoft dhe qeveria amerikane, ne arritëm të zvogëlojmë dëmin.
DER SPIEGEL: Sfondi i sulmit është, me sa duket, prania e disa mijëra anëtarëve të opozitës iraniane, të cilët po punojnë aktivisht për ndryshimin e regjimit në Iran dhe po bashkëpunojnë me SHBA, të ashtuquajturit Muxhahedinë të Popullit (MEK). Në vitin 2013, vendi juaj pranoi MEK-un nga Iraku me kërkesë të Uashingtonit. Do të parapëlqenit që të largoheshit sot nga ky grupim?
Edi Rama: Jo, Shqipëria ka një traditë për t’u krenuar për të strehuar njerëzit në rrezik. Dhe aleanca jonë strategjike me SHBA-në nuk mund të nënkuptojë thjesht se Uashingtoni ka gjithmonë mbështetjen tonë. Ndonjëherë duhet ta ndihmojmë edhe SHBA-në. Shqiptarët u detyrohen shumë amerikanëve.
Fraksion.com