Sulmi kibernetik, Prokuroria e Tiranës u ndalon mediave publikimin e çdo të dhëne të dalë nga autorët: Në rast shkelje, do të nisin hetimet
Prokuroria e Tiranës ka vendosur ndalimin e publikimit në media të çdo të dhënë, e cila është botuar nga autorët e sulmit kibernetik.
Referuar disa të dhënave sekrete që po qarkullojnë në mediat online, prokuroria njofton se është vendosur që asnjë e dhënë e botuar nga autorët e sulmit kibernetik të mos publikohet nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS të Policisë së Shtetit.
Në rast shkelje të këtij vendimi, do të nisë menjëherë hetimin në kuadër të procedimit penal. Policia kërkon mirëkuptimin e mediave, ndërsa thekson se publikimi i këtyre të dhënave cënon rëndë rendin publik dhe sigurinë kombëtarë.
‘Në zbatim të vendimit të prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, të datës 19.09.2022, për sekuestrimin e të dhënave, në kuadër të procedimit penal Nr.5430 të vitit 2022, për veprat penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve” bëjmë me dije mediat dhe opinionin publik se:
Me vendimin e datës 19.09.2022, Prokuroria ka vendosur ndalimin e publikimit të çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik, vendim ky në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale “Ndalimi i publikimit të aktit”.
Prokuroria ka vendosur që asnjë e dhënë e botuar nga autorët e sulmit kibernetik të mos publikohet nga mediat audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS të Policisë së Shtetit.
Prokuroria ka ngarkuar Njësinë C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), që të grumbullojnë të gjithë informacionin e deritanishëm dhe të ardhshëm të të dhënave objekt sekuestrimi.
Në rast të shkeljes së këtij vendimi nga cilido, Njësia C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit do të nisë menjëherë hetimin në kuadër të procedimit penal Nr.5430/2022, për vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e mediave dhe të opinionit publik, pasi publikimi i këtyre të dhënave cënon rëndë rendin publik dhe sigurinë kombëtare.’- njofton policia.
Sulmi i parë ndodhi në mes të muajit korrik të këtij viti, ku u sulmuan portalet shtetërore të shërbimeve online, të cilat prej gati 4 javësh mbetën të bllokuara. Si rezultat i hetimeve që u bë nga ekspertët shqiptar, por edhe nga vendet aleate, u dol në përfundimin se ishte Irani që financoi sulmin. Ndërsa më 10 shtator, u sulmua sistemi TIMS. Ky sulm ‘paralizoi’ për disa orë pikat e kalimit kufitar të të gjithë vendit, në Rinas, Kakavijë, e Kapshticë, ku policia hapi regjistrat duke punuar manualisht.
Fraksion.com