Rama në televizionin amerikan Newsmax: Kemi prova se pas sulmit kibernetik është Irani
Kryeministri Edi Rama gjatë vizitës në Nju-Jork, ishte i ftuar së bashku me ish-ambasadorin Richard Grenell në televizionin amerikan Newsmax, në emisionin “Wake Up America”.
I pyetur në lidhje me sulmin kibernetik nga Irani, Rama u shpreh se, “dua ta bëj shumë të qartë që nuk jam unë që e kam akuzuar Iranin, por kemi prova, mbështetur në një punë mjaft të imët të ekspertizës ligjore të superskuadrës Microsoft për zbulimin e kërcënimeve, si dhe superskuadrës së agjencive të specializuara amerikane, ku është provuar se pas këtij sulmi është Irani, shteti, Republika Islamike e Iranit, e cila ka sponsorizuar 4 grupe, një prej të cilëve është një prej grupeve kryesore të terrorit kibernetik që qëndron pas sulmeve kundër Arabisë Saudite, Izraelit, Kuvajtit e kështu me radhë. Kështu që nuk është akuzë, është fakt”.
Nga ana tjetër, theksoi Rama, “kuptuam që ishte koha për të ndërprerë çdo lloj marrëdhënie me këtë regjim, sepse aktualisht nuk mund të lejonim më që ambasada të vazhdonte të ishte në mes të kryeqytetit e të punonte si qendër operative për të dëmtuar vendin tonë”.
Nëse ka folur me anëtarët e NATO-ss për Nenin 5, që thotë se sulmi kundër njërit është sulm kundër të gjithëve dhe si anëtare e NATO-s ky është një sulm, Rama u shpreh se, “është e vërtetë, por në të njëjtën kohë ne kemi preferuar pikësëpari, të ndërtojmë, jo thjeshtë ndërgjegjësim, por të ngremë një aleancë për mbështetje, sepse ajo për të cilën kemi nevojë tashmë është të përshpejtojmë të gjithë planet tona për të ndërtuar një mbrojtje kibernetike të fjalës së fundit, sepse edhe pas sulmit masiv të 15 korrikut, patëm një tjetër, dhe jemi të përgatitur që të tjerë do të vijnë. Sepse gjithkush e di që ky regjim është i angazhuar në këto lloj veprimtarish në mbarë botën dhe është mjaft shqetësuese që kjo ndodh, ndërkohë që reagimi i përbashkët i mbrojtjes ende nuk është aty ku duhet”.
I pyetur nëse duhet të negociojë administrata e presidentit amerikan Biden me regjimin iranian, ndërkohë që ky regjim kryen sulme kibernetike, apo vret gra dhe persona të komunitetit LGBT, Rama u shpreh se, “nuk më takon mua të them, sepse Shqipëria është një aleate mjaft e fortë dhe e angazhuar e SHBA. Natyrisht ne e dimë pozicionin tonë dhe e dimë që nuk është mbi shpatullat tona barra për të marrë vendime shumë të mëdha, por duke qenë se kemi jetuar në një regjim shumë të ngjashëm për vite të tëra, që nuk ishte një regjim totalitar fetar, por ishte një regjim totalitar ateist, mund të them nga përvoja që të merresh në mënyrën tonë, që do të thotë në mënyrën e vendeve demokratike me të tilla regjime, nuk më ngjan një vizion shumë largpamës”.
Fraksion.com