Ndalohet publikimi i çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik
Prokuroria ka vendosur ndalimin e publikimit të çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik.
Policia e Shtetit njoftoi sot se, në zbatim të vendimit të prokurorit të Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tiranë, të datës 19.09.2022, për sekuestrimin e të dhënave, në kuadër të procedimit penal Nr. 5430 të vitit 2022, për veprat penale “Ndërhyrja në të dhënat kompjuterike”, “Ndërhyrja në sistemet kompjuterike”, dhe “Keqpërdorimi i pajisjeve” bëjmë me dije mediet dhe opinionin publik se: me vendimin e datës 19.09.2022, Prokuroria ka vendosur ndalimin e publikimit të çdo të dhëne të botuar nga autorët e sulmit kibernetik, vendim ky në zbatim të nenit 103 të Kodit të Procedurës Penale “Ndalimi i publikimit të aktit”.
“Prokuroria ka vendosur që asnjë e dhënë e botuar nga autorët e sulmit kibernetik të mos publikohet nga mediet audiovizive, të shkruara, online, në rrjete sociale apo në çdo formë të publikimit apo transferimit të të dhënave që postohen nga autorët e këtij sulmi kibernetik mbi sistemin TIMS të Policisë së Shtetit”, thuhet në njoftim.
Prokuroria ka ngarkuar Njësinë C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit, Autoritetin e Mediave Audiovizive (AMA) dhe Autoritetin e Komunikimeve Elektronike dhe Postare (AKEP), që të grumbullojnë të gjithë informacionin e deritanishëm dhe të ardhshëm të të dhënave objekt sekuestrimi, bën të ditur Policia e Shtetit.
Në rast të shkeljes së këtij vendimi nga cilido, Njësia C për Hetimin e Krimit Kibernetik në Policinë e Shtetit do të nisë menjëherë hetimin në kuadër të procedimit penal Nr. 5430/2022, për vendosjen përpara përgjegjësisë ligjore të personave përgjegjës, thuhet në njoftim.
Policia e Shtetit kërkon mirëkuptimin e medieve dhe të opinionit publik, pasi publikimi i këtyre të dhënave cenon rëndë rendin publik dhe sigurinë kombëtare.
Fraksion.com