AktualitetPolitikëTë fundit

Berisha nga Puka: Shqiptarët i ka vënë përpara varfëria si në kohën e Migjenit

Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha zhvilloi sot një takim me banorë të Pukës dhe Fushë-Arrëzit.

Berisha u shpreh në fjalën e tij se, “shqiptarët i ka vënë përpara varfëria që e shkakton qeveria, e cila vetëm vjedh”.

“Jam sot këtu për të diskutuar së bashku mbi problematikat e mëdha me të cilat përballet Puka dhe Shqipëria. Çdo shqiptare dhe shqiptar, ndjen një dhimbje, therje në shpirt kur shikon se si po braktiset ky vend, ndërkohë që nëse analizojmë pasuritë e jashtëzakonshme që ka, këtu mund të begatohet me shpejtësi shumë herë më tepër sesa banorët e këtij vendi”, tha Berisha.

“Shqiptarët sot i ka vënë përpara para së gjithash varfëria, krejtësisht e pamerituar. Varfëri që në ndonjë aspekt në rast të veçantë kap edhe tregimet e Migjenit. Varfëri e cila shkaktohet para së gjithash dhe mbi të gjitha nga vjedhja e madhe që i bëhet qytetarëve shqiptarë nga qeveria”, theksoi Berisha.

“Unë u them ju, vetëm dy fakte. Nga viti 2013 deri në vitin 2022 janë marrë borxh 500 miliardë lekë. Borxh të cilin e paguan çdo shqiptar, se qeveria nuk prodhon asnjë qindarkë.  Janë krijuar të ardhura 400 miliardë, pra në total 900 miliardë lekë. Çfarë ka ndodhur me to? Ju garantoj se me 900 miliardë lekë, sot çdo shqiptar duhet të merrte të paktën 3 herë më shumë se në vitin 2013 dhe të tepronte shumë me investime. Ku jemi sot dhe pse varfëria i ka vënë përpara shqiptarët”, nënvizoi Berisha.

“I ka vënë përpara sepse rroga mesatare e qytetarit dhe pensionistit shqiptar janë të paktën 30 % më të ulëta se në vitin 2013. Në vitin 2013, rroga mesatare dhe pensioni ishin më të lartat në rajon dhe kjo ishte një arritje e madhe për ne. Kjo sepse nga njerëzit e 3-të më të varfër në botë që ishim në 1991, ja dolëm të lëmë pas shumë kombe, edhe kombe që kishin paga më të larta se ne”, tha Berisha.

“Sot ku jemi ne? Jemi me rrogat më të ulëta në rajon. 20-30 % më të ulëta se në Kosovë. Nuk po krahasoj me vendet e tjera, sepse Mali i Zi i ka 40% më të larta pagat, Maqedonia 30%. Por pse ndodh kjo në një kohë kur ky shtet ka qarkulluar dhe mbledhur, borxh dhe prodhim 900 miliardë lekë. Kjo ndodh vetëm e vetëm se ato vidhen”, theksoi Berisha.

Berisha shtoi më tej se, “kjo qeveri e përdor varfërinë si mjet për të nënshtruar njerëzit”.

“Në ç’mënyrë do të thoni ju? Çdo punë publike këtu kushton 5 deri në 8, e ndonjëherë edhe 10 herë më shumë seç e ka koston. Punët publike, e dini ju që ka një manual për çmimet e çdo materiale, fuqisë punëtore, energjisë etj. Për të ndërtuar 1 km autostradë në fushë në Europë, prokurohen maksimumi 3 milionë euro. Për 1 km rrugë në fushë si ajo Balldren-Lezhë u prokuruan me 22 milionë euro. Për të ndërtuar një shkollë në Gjermani, Francë dhe kudo ka një kosto prej 620-680 mijë euro. Në Shqipëri kjo kosto shkon edhe 5 mln euro. Pse? Sepse vjedhin dhe vetëm vjedhin”, tha Berisha.

“Po marrim rrasat e gurit që janë shtruar sheshet e qyteteve dhe qytezave, kanë kushtuar mbi 1 miliard euro. Kam folur me specialistë të gurit dhe më kanë thënë se nuk mund të shkonin kurrë më shumë se 160-180 milionë euro. Prandaj ne nuk na rriten rrogat, çmimet rriten dhe ne ngelemi aty ku jemi. Kjo qeveri e përdor varfërinë si mjet për të nënshtruar njerëzit”, u shpreh Berisha.

 

Fraksion.com