SHBA: Gjykatësja cakton ekspertin e posaçëm për të shqyrtuar dokumentat e Mar-a-Lagos
Një gjykatëse amerikane refuzoi të enjten të lejonte Departamentin e Drejtësisë të rifillonte menjëherë shqyrtimin e të dhënave të klasifikuara të sekuestruara nga FBI-ja nga rezidenca e ish-presidentit Donald Trump në Florida në një hetim penal në vazhdim.
Gjyqtarja federale Aileen Cannon caktoi gjithashtu gjyqtarin e lartë Raymond Dearie si palë të tretë për të shqyrtuar të dhënat e sekuestruara nga FBI-ja për materiale që mund të mbrohen nga privilegji dhe rrjedhimisht të mos lejohet të jenë në duart e hetuesve federalë.
Departamenti i Drejtësisë kishte premtuar se do ta çojë çështjen në një gjykatë apeli nëse gjykatësja Cannon vendoste kundër kërkesës së tij. Departamenti kishte kërkuar gjithashtu të bllokonte shqyrtimin nga eksperti i posaçëm, Dearie të reth 100 dokumenteve të klasifikuara të përfshira në 11,000 të dhënat e mbledhura në kontrollin e miratuar nga gjykata më 8 gusht.
“Gjykata nuk e sheh të përshtatshme të pranojë përfundimet e qeverisë për këto çështje të rëndësishme dhe të diskutueshme pa shqyrtim të mëtejshëm nga një palë e tretë neutrale në një mënyrë të përshpejtuar dhe të rregullt,” shkruante gjykatësja Cannon të enjten.
Një zëdhënës i Departamentit të Drejtësisë dhe avokatët e zotit Trump nuk kanë komentuar ende.
Vendimi i gjyqtares Cannon e ndërlikon më tej hetimin e Departamentit të Drejtësisë. Procesi i shqyrtimit nga eksperti i posaçëm, mund t’I heqë dokumentat nga duart e prokurorëve ndërsa ata shikojnë mundësinë e akuzave penale.
Gjyqtarja Cannon tha të enjten se ajo do ta udhëzonte gjykatësin Dearie që t’i jepte përparësi shqyrtimit të të dhënave të klasifikuara. Ajo gjithashtu e udhëzoi atë të përfundonte shqyrtimin e të gjitha materialeve të sekuestruara deri më 30 nëntor.
Departamenti i Drejtësisë po heton zotin Trump për mbajtjen e të dhënave qeveritare – disa të përcaktuara si shumë të klasifikuara, duke përfshirë “tepër sekret” – në pronën e tij Mar-a-Lago në Palm Beach pas largimit nga detyra në janar 2021.
Departamenti po shqyrton gjithashtu një pengim të mundshëm të hetimit pasi gjeti prova se të dhënat mund të ishin fshehur për të mos u marrë nga FBI-ja kur ajo dërgoi agjentë në Mar-a-Lago në qershor për të marrë të gjitha dokumentet e klasifikuara./VOA
Fraksion.com