AktualitetNATO/BETë fundit

Scholz: Forcat e armatosura gjermane duhet të jenë “më të pajisurat në Evropë”

Kancelari gjerman Olaf Scholz i ka kërkuar Evropës të marrë më shumë përgjegjësi brenda NATO-s, në një kohë kur Vladimir Putini synon ta bëjë Rusinë një “fuqi perandorake” në kontinent. 

Kancelari gjerman Olaf Scholz theksoi edhe një herë të premten (16.09.) se pushtimi i Ukrainës nga Moska ishte një pikë kthese në historinë evropiane, duke theksuar rëndësinë e forcave të armatosura gjermane në këtë situatë të re.

Sipas tij, presidenti rus Vladimir Putin po përpiqet të rishikojë kufijtë me qëllim që ta bëjë Rusinë përsëri një “fuqi perandorake” në Evropë.

“NATO-ja mbetet përgjegjëse për mbrojtjen kolektive të të gjithë aleancës me fokus në Evropë. Parandalimi i besueshëm mbetet me rëndësi qendrore,” tha Scholz. “Megjithatë, ne evropianët duhet të marrim më shumë përgjegjësi brenda NATO-s.”

Scholzi foli në ditën e dytë të një konference dy-ditore të Forcave të Armatosura Gjermane të titulluar “Bundeswehr-i në një epokë të re – Bilanc kritik në Evropën e kohës së luftës”.

Çfarë tha Scholz-i për ushtrinë gjermane?

Scholz-i tha se Gjermania duhej të mësohet me faktin se Rusia e Putinit do ta përkufizojë veten si një kundërshtar për të, për NATO-n dhe për BE në të ardhmen e afërt.

Ai tha se duke pasur parasysh situatën, forcat e armatosura gjermane duhet të bëhen më të pajisurat në Evropë.

“Ne e themi qartë dhe bindshëm: Gjermania është e gatshme të marrë përgjegjësinë kryesore për sigurinë e kontinentit tonë”, tha ai.

“Si vendi me numrin më të madh të popullatës, me fuqinë më të madhe ekonomike dhe i vendosur në qendër të kontinentit, ushtria jonë duhet të bëhet gur themeli i mbrojtjes konvencionale në Evropë: forca më e pajisur në Evropë”, tha ai.

Scholzi tha se Gjermania prej kohësh “i qe shmangur dhënies së përparësisë reale detyrave të Bundeswehrit”.

Por, tha ai, megjithëse një ushtri e mirë mund të shpojë puse, të ofrojë ndihmë humanitare dhe të ndihmojë me vaksinimet gjatë pandemisë, kjo nuk është “detyra kryesore” e saj.

“Detyra kryesore e Bundeswehr-it është të mbrojë lirinë në Evropë,” tha ai, duke shtuar se të gjitha detyrat e tjera duhet të jenë në plan të dytë.

Qeveria gjermane është gjithashtu e gatshme të shqyrtojë rezervat në lidhje me rregullat e eksportit ushtarak që prekin projektet e përbashkëta të mbrojtjes, tha kancelari.

Debati për tanket për Ukrainën

Vërejtjet e tij vijnë në një kohë kur deputetë nga partnerët e koalicionit, Partia e Gjelbërve dhe Partia Demokrate e Lirë (FDP) i bëjnë presion kancelarit socialdemokrat (SPD) që ta furnizojë Ukrainën me tanket e betejës të cilat i kërkon Kievi, të ndihmojë në luftimin e forcave pushtuese ruse.

Të enjten, ministrja e Mbrojtjes Christine Lambrecht, gjithashtu një socialdemokrate, njoftoi se dy raketahedhës shtesë dhe 50 automjete të blinduara Dingo do të dërgohen në Ukrainë, por ajo deri tani ka refuzuar kërkesat për dërgesa tankesh.

Në maj të këtij viti, në përgjigje të pushtimit të Ukrainës nga Moska, qeveria e koalicionit gjerman dhe aleanca konservatore CDU/CSU ranë dakord për një shtesë prej 100 miliardë eurosh të shpenzimeve ushtarake të vendit./DW

 

Fraksion.com