AktualitetNATO/BETë fundit

“Hungaria nuk është më demokraci”, reagon Fidesz

Fidesz, partia në pushtet e kryeministrit hungarez, Viktor Orban, ka kritikuar Parlamentin Evropian, pasi ky i fundit ka thënë përmes një rezolute se, Hungaria nuk është më “demokraci e plotë”.

Deputetët kanë votuar me 433 vota për, 123 kundër dhe 28 abstenime, për të miratuar një raport që thotë se Hungaria është kthyer në “regjim hibrid”, nën udhëheqësinë e Qeverisë nacionaliste të Orbanit.

Sipas Parlamentit Evropian, autoritetet në Hungari janë duke minuar vlerat demokratike.

Miratimi i një rezolute të tillë jodetyruese, konsiderohet simbolik.

Në dokument është thënë se, demokracia dhe të drejtat themelore janë gërryer në Hungari si pasojë e “përpjekjeve sistematike të Qeverisë në Hungari”, prej vitit 2018, kur kanë nisur hetimet e bllokut evropian për normat demokratike të këtij shteti.

“Është e pafalshme që derisa njerëzit janë duke vuajtur nga efektet e dëmshme që ka shkaktuar lufta në ekonomi, Parlamenti Evropian është duke sulmuar sërish Hungarinë”, ka thënë, Balazs Hidveghi, deputet i partisë Fidesz në Parlamentin Evropian.

Orban, i cili ka fituar një mandat të katërt në pushtet, në prill të këtij viti, ka pasur mospajtime të shpeshta me BE-në për çështjet si: pavarësia e gjyqësorit, prokurimi publik, të drejtat e komunitetit LGBT (homoseksual, lesbike, biseksual dhe transgjinor) si dhe liritë e mediave, ato akademike dhe fetare.

Ky raport është publikuar në kohën kur pritet që Komisioni Evropian, trupi ekzekutiv i BE-së, të bëjë të ditur që blloku evropian është i gatshëm të pezullojë transferimin e disa fondeve të tij në Hungari, pas dyshimeve për shkelje demokratike.

 

Fraksion.com