AktualitetPolitikëTë fundit

Veliaj në Washington pritet nga Nancy Pelosi: Lidhja jonë është më shumë se aleancë shtetesh, është aleancë popujsh

Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, ndodhet për një vizitë në Uashington, ku ka zhvilluar një sërë takimesh të rëndësishme në Kongresin dhe Senatin Amerikan. Veliaj u prit nga kryetarja e Kongresit, Nensi Pelosi, si dhe nga ish kandidati për President të SHBA-së, senatori Mitt Romney.

Në një postim në rrjetet sociale, krahas videos e fotove nga vizita, Veliaj shkroi se në 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes dy vendeve, raportet janë sot në nivelin më të mirë.

“Shumë i lumtur nga mikpritja e ngrohtë e kryetares së Kongresit Amerikan Nensi Pelosi dhe senatorit Mitt Romney në Uashington. Më vjen mirë që, në 100-vjetorin e vendosjes së marrëdhënieve mes Shqipërisë dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës, raportet mes dy vendeve sot janë në nivelin më të mirë. Ishte kënaqësi të takoja edhe kongresmenin e Nju jorkut, Ritchie Torres, dhe udhëheqësin e shumicës në Senatin Amerikan, Charles Schumer”, u shpreh Veliaj.

“Lidhja jone eshte me shume se aleance shtetesh, eshte aleance popujsh”, shtoi ai.

Siç pohoi ai, në takimin me kryetaren e Kongresit, Veliaj e informoi Pelosin lidhur me zhvillimet e fundit dhe e ftoi atë për një vizitë në Tiranë.

“E njoha kryetaren Pelosi me të gjitha të rejat nga Tirana dhe Shqipëria. Kryeministri ynë ka një respekt të veçantë për Shtetet e Bashkuara të Amerikës, si një aleat kryesor, si një lider i vendosur dhe si dikush që ka marrë gjithmonë vendimet e drejta, si për aleatët tanë amerikanë dhe të NATO-s, ashtu edhe për të mikpritur ata që janë në nevojë, nuk ka rëndësi nëse janë ukrainas, afganë apo qoftë edhe iranianët e strehuar në Tiranë”, u shpreh Veliaj.

Vizita e kryebashkiakut Veliaj në Uashington do të vijojë me takime të tjera të rëndësishme, por edhe me komunitetin shqiptar që ndodhet në Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

 

Fraksion.com