AktualitetBota+Të fundit

Biden pritet të emërojë ambasadore në Rusi një diplomate që ka shërbyer më parë atje

Mediat amerikane po raportojnë se presidenti amerikan, Joe Biden, ka vendosur të emërojë ambasadore të SHBA-së në Rusi, Lynne Tracy, një veterane e shërbimit të jashtëm me shumë vite përvojë në çështjet ruse.

Media kryesore amerikane, përfshirë CNN, Associated Press dhe Reuters, cituan burimet e tyre të kenë thënë se propozimi do t’i paraqitet Senatit sapo Rusia ta miratojë emrin e saj, siç e thotë protokolli standard diplomatik.

Deri tani as Shtëpia e Bardhë dhe as Departamenti i Shtetit nuk i kanë komentuar raportimet e mediave.

Agjencia shtetërore ruse e lajmeve, RIA Novosti, duke cituar Kremlinin, raportoi më 15 shtator se “vështirë se ka shpresë” që marrëdhëniet mes dy vendeve të përmirësohen nën ambasadorin e ri.

Nëse miratohet emri i saj, Lynne Tracy, aktualisht ambasadorja e SHBA-së në Armeni, do të zëvendësojë John Sullivan, i cili përfundoi mandatin e tij më 4 shtator.

Tracy shërbeu si zëvendësshefe e misionit në Ambasadën e SHBA-së në Moskë nga viti 2014 deri në 2017.

Raportet mes dy shteteve janë përkeqësuar pothuajse në nivelin e pas Luftës së Ftohtë, qëkur Rusia nisi pushtimin e paprovokuar të Ukrainës më 24 shkurt. Për shkak të luftës, SHBA-ja dhe Bashkimi Evropian kanë vendosur disa runde sanksionesh të ashpra ndaj Moskës.

 

Fraksion.com