AktualitetPolitikëTë fundit

Balluku-opozitës: Arkëtonit vetëm 43 % të energjisë së konsumuar, sot mbledhim 99.6 %

Zëvendëskryeministrja Belinda Balluku, njëherësh ministre për Infrastrukturën dhe Energjinë, siguroi sot se pavarësisht krizës energjetike në tregjet ndërkombëtare dhe çmimit të lartë të saj në treg, rreth 600 euro një megavat, sërish nuk do të ketë kufizim të energjisë për konsumatorët.

Në përgjigje të akuzave të ngritura nga opozita për pamundësi të qytetarëve për të paguar faturat e energjisë, Balluku kërkoi përgjegjshmëri në deklarata dhe bazim në fakte dhe shifra.

“Duhet tu referohemi shifrave në mënyrë të saktë kur flasim për sektorin e energjisë elektrike. Në kohën tuaj mblidhej vetëm 43 % e energjisë së hedhur në rrjet për konsumatorët. Sot niveli i arkëtimit të energjisë elektrike nga Operatori i Shpërndarjes së Energjisë Elektrike (OSHEE), llogaritet 99.6 %. Ky është një fakt i pakundërshtueshëm. Kjo shifër tregon se paguhet shërbimi i ofrimit të energjisë elektrike, jo me dhunë por sepse ofrohet pa ndërprerje dhe me cilësi”, iu drejtua Balluku-opozitës.

Sipas saj, të thuash që 40% e shqiptarëve nuk kanë fuqi të paguajnë faturën e energjisë elektrike duhet praktikisht të kesh bazë dhe fakte.

Sipas Ballukut, deputetja demokrate në qëndrimin e saj i referohej një raporti të
Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë.

“Në këtë raport të Sekretariatit të Komunitetit të Energjisë të publikuar në muajin gusht të këtij viti, thuhet se një konsumator në nevojë konsiderohet ai që ka vështirësi në ngrohjen e shtëpisë. Nuk flitet për faturën e energjisë, por ju po e përdorni për të bërë “tym” në publik. Flitet për konsumatorë që nuk kanë kushtet e duhura të ngrohjes së shtëpisë. Ne kemi nisur një fushatë të tërë sa i përket eficiencës energjetike. Ne e dimë që pallatet e ndërtuara në kohën e komunizmit kanë zero kushte për ngrohje. Ndaj dhe këta konsumator kanë vështirësi sa i përket ngrohjes. Ta transformosh këtë të dhënë dhe të thuash 40 % e shqiptarëve nuk paguajnë dot faturën e energjisë, është e pavërtetë dhe fakt që kundërshtohet nga OSHEE”, deklaroi zv/ministrja.

Duke iu përgjigjur akuzave për shpenzimet për kompanitë e menaxhimit të sektorit energjetik, Balluku tha se deri në fund të gushtit janë konsumuar nga buxheti energjetik rreth 300 milionë lekë. Sipas saj, një pjesë është mbuluar nga vet të ardhurat e sektorit, ndërsa 140 milionë lekë janë dhënë nga buxheti i shtetit.

“Këto janë shifra që nuk kanë ekzistuar më parë, sidomos në kohën tuaj, kur binte shi dhe përmbysej Shqipëria, dhe prodhimi arrinte 11 TERRA në vit dhe sërish dilnit në import”, deklaroi zv/kryeministrja Balluku.

 

Fraksion.com