AktualitetKosovaRajoniTë fundit

Vuçiq: Serbia në asnjë mënyrë nuk do ta njohë pavarësinë e Kosovës

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në fjalimin e tij të parë para legjislaturës së re të Serbisë, kritikoi perëndimin duke thënë se “nuk dëshirojnë të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1242 të OKB.   

“Serbia në asnjë mënyrë nuk do ta njoh pavarësinë e Kosovës”. Kështu u shpreh presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq në fjalimin e tij të parë para legjislaturës së re në parlamentin e Serbisë, ku u  mbajt debat lidhur me procesin e

bisedimeve me Kosovën. “Republika e Serbisë as në mënyrë të tërthortë dhe as drejtpërdrejtë nuk do ta njohë pavarësinë e shpallur në mënyrë të njëanshme të Kosovës, as nuk do të heqë dorë nga lufta e saj e ligjshme për interesat shtetërore dhe kombëtare, por edhe nga lufta për respektimin e së drejtës ndërkombëtare”, tha Vuçiq gjatë  fjalimit. Sipas tij, bota perëndimore nuk dëshiron të respektojë të drejtën ndërkombëtare dhe Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara që ka të bëjë me Kosovën.

Vuçiq: Lufta në Ukrainë ka vështirësuar pozicionin serb

“Ata as nuk duan të na dëgjojnë. Kjo është e kaluara dhe ata thonë se gjërat në terren e kanë ndryshuar rezolutën 1244. Dhe së dyti, nuk iu intereson për zbatimin e marrëveshjeve të nënshkruara dhe se nuk duan të bëjnë asnjë lloj presioni ndaj Prishtinës”, tha presidenti serb. Aleksandër Vuçiq, duke folur për Ukrainën tha se “ngjarjet në Ukrainë e kanë vështirësuar pozitën e Serbisë kundruall dialogut me Kosovën.

Sipas tij, “politika e Serbisë për çështjen e Kosovës udhëhiqet mes asaj që është e dëshiruar dhe e mundshme, me faktin se populli ka dëshira maksimaliste, ndërsa mundësitë tona janë të pakta”. Sipas Vuçiq, “situata në terren është vështirësuar për qytetarët serb që prej ardhjes në pushtet të Albin Kurtit”,  dhe siç shprehet Vuçiq “është vërejtur një shtim i forcave të sigurisë së Prishtinës në veriun e Kosovës e banuar me shumicë serbe. Presidenti i Serbisë, tha se diplomatët perëndimorë kanë propozuar një “kornizë të re të bisedimeve me Kosovën”.

Osmani: Njohja reciproke është zgjidhja përpara

Fjala është për bisedimet që i ngarkuari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, dhe këshilltarët e sapoemëruar të Gjermanisë dhe Francës, për këto bisedime, Jenns Plettner dhe Emmanuel Beaune zhvilluan në Prishtinë dhe Beograd së fundmi në një përpjekje për të shtyrë përpara procesin e bisedimeve Kosovë-Serbi. Presidentja e Kosovës Vjosa Osmani, gjatë një takimi që pati në Prishtinë me homologen hungareze, Katalin Novak, u shpreh në lidhje me këtë angazhim, duke theksuar, se Franca dhe Gjermania kanë luajtur një rol të rëndësishëm në procesin e dialogut Kosovë-Serbi.

“Procesi i dialogut mes Kosovës dhe Serbisë është i lehtësuar nga Bashkimi Evropian, prandaj cilido nga shtetet e BE-së është më se i mirëseardhur. Franca dhe Gjermania kanë luajtur një rol të rëndësishëm në këtë proces, andaj ne i falënderojmë. Vet ardhja e tyre në Kosovë kishte për qëllim dhe ua ka dëshmuar partnerëve tanë brenda BE-së dhe jashtë saj, SHBA-së, se ne jemi palë konstruktive në këtë proces”, tha presidentja Osmani. Sipas saj, çdo zgjidhje duhet të jetë për stabilitet e paqe afatgjatë. “Qëndrimi i Kosovës mbetet po ai që e kemi dëgjuar vazhdimisht, ai që është konfirmuar në letrat e presidentit Biden, se njohja reciproke është zgjidhja përpara, e cila sjell paqen afatgjatë. Ky është fokusi, përqendrimi ynë dhe puna jonë”, tha Osmani.

Kosova dhe Serbia pas tensioneve në veriun e Kosovës në fund të korrikut, me 27 gusht, u pajtuan që të heqin dorë nga lëshimi i dokumentit për hyrje-dalje për shtetasit e të dy vendeve. Kjo marrëveshje filloi së zbatuari me 1. shtator pa tensioen. Po më 1 shtator, ka nisur afati për çregjistrimin e veturave me targa serbe në ato RKS. Të gjithë qytetarët që kanë makina me targa me akronime të Kosovës, mund t’i riregjistrojnë ato në RKS deri më 31 tetor. Serbia nga ana e saj,  kërkon që qytetarët në veriun e Kosovës të banuar me shumicë serbe të përdorin vetëm targa KS, që kanë status neutral ndaj shtetësisë së Kosovës, por qeveria e Kosovës e refuzon një propozim të tillë.

Bashkimi Evropian nga ana tjetër, shpreson që palët do të arrijnë një pajtim rreth targave të makinave sipas marrëveshjeve të arritura më parë në bisedimet në Bruksel. Qëllim i bisedimeve nën ndërmjetësimin e BE-së, është që të sigurohet një marrëveshje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si kusht për integrimet evropiane të të dyja vendeve./DW

 

Fraksion.com