Skandali i financimit rus; Ngjela paralajmëron ‘fundin’ e Bashës, nga hetimet te “non grata”, çfarë pritet të ndodhë
Skandali i financimit rus të Partisë Demokratike, në vitin 2017, gjatë kohës që drejtohej nga Lulzim Basha, është bërë kryefjalë e mediave sot.
Disa nga mediat më të rëndësishme botërore si “BBC”, “AFP” dhe “Zëri i Amerikës”, sot raportuan se Lulzim Basha, Partia Demokratike, gjatë kohës që drejtohej nga ky i fundit kishte marrë një financim 500 mijë dollarë nga Putini, nga rusët.
Në një prononcim për CNA.al, Ngjela tha se ndaj Bashës duhet të nisin hetimet, dhe nëse Shërbimet Amerikane vërtetojnë se Basha ka veprimtari antiamerikane në funksion të Moskës, do ta nxjerrin “non grata”.
“Hetimet duhet të nisin dhe duhet të provohet dhe për Bashën. Nëse ka implikime me paranë ruse duhet të dalë ‘non grata’.
Por ‘non grata’ kini parasysh që Shqipëria nuk mund të nxjerrë nënshtetasin ‘non grata’. Saliun e kanë nxjerrë ‘non grata’ për korrupsion Uashingtoni, SHBA.
Nëse këta që po dalin tani, që unë u kam paralajmëruar, do kenë dhe veprimtari antiamerikane atëherë do dalë ‘non grata’ dhe në Amerikë, nuk diskutohet.
Nëse vërtetohet që ka veprimtari, jo vetëm antiamerikane, sepse në Shqipëri nuk mund ta nxjerrësh ‘non grata’, por nëse Shërbimet Amerikane denoncojnë se Basha ka veprimtari antiamerikane në funksion të Moskës, Rusisë, natyrisht që do ta nxjerrin ‘non grata’”, tha Ngjela.
Për Ngjelën, çështja e lobimeve ruse është një gjë normale në marrëdhëniet ndërkombëtare, por janë shqiptarët ata që shiten kundër Shqipërisë.
“Çështja e lobimeve ruse është gjë normale për marrëdhëniet ndërkombëtare, por janë shqiptarët që shiten. Janë shqiptarët që shiten kundër Shqipërisë se ata punën e tyre po bëjnë. Por nuk kanë shumë hapësirë për të pasur sukses, sepse këtu është prezente forca amerikane.
Edhe ato që patë sot, shërbimet amerikane i kanë nxjerrë dhe i kanë nxjerrë të sakta. Thonë që janë të vërteta. Pra, nuk kanë gjasë për të fituar ndonjë gjë këtu, por ata bëjnë punën e vet. Ne nuk e bëjmë punën tonë që i lëmë rrugëve këta. Bredhin këta, merr para në Moskë, e merr para në Beograd.
Por të shikojmë se si do të avancojë kjo çështje këtej e mbrapa”, tha Ngjela. /CNA.al
Fraksion.com