AktualitetPolitikëTë fundit

PD: Të rihapet çështja e financimit rus në zgjedhjet e 2017-ës

Zëdhënësja e Partisë Demokratike, Floriana Garo kërkoi sot rihapjen e menjëhershme të çështjes së financimit rus 500 mijë dollarë ish-kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në zgjedhjet e vitit 2017.

“Pas publikimit të një lajmi të bazuar në raportin e shërbimeve inteligjente të SHBA në Zërin e Amerikës, për inflitrimin rus në politikën e disa vendeve, dhe financimin e politikanëve në këto vende, ku përfshihet financimi me 500 mijë dollarë të ish-kryetarit të Partisë Demokratike Lulzim Basha në zgjedhjet e vitit 2017, Partia Demokratike bën me dije se:  Ne jemi parti e interesit kombëtar dhe i shohim këto interesa larg aksit serbo-rus, në linjë të plotë me vendet e botës së lirë, Shtetet e Bashkuara te Amerikës dhe Bashkimin Europian”, tha Garo në një dalje për mediet nga selia e PD-së.

“Partia Demokratike është forca e parë euro-atlantike në Shqipëri, propozuesja e parë ndër vendet ish-komuniste e planit për anëtarësim në NATO dhe Komunitetin Europian. Si e tillë, Partia Demokratike deklaron se, pasi është njohur me indicie që flisnin për një financim rus, ka denoncuar publikisht këtë akt personal të Lulzim Bashës”, theksoi Garo.

Garo shtoi se, “Partia Demokratike ka denoncuar përdorimin e kësaj afere për marrjen peng të këtij individi me qëllim shkatërrimin e Partisë Demokratike”.

“PD ka denoncuar ndërhyrjen direkte të Edi Ramës, nëpërmjet Sekretarit të Përgjithshëm Engjëll Agaçi për mbylljen e çështjes në ngarkim të Lulzim Bashës për këtë aferë”, nënvizoi Garo.

Ajo bëri të ditur se, “Partia Demokratike do t’u kërkojë forumeve të saj ngritjen e një grupi pune për ndërmarrjen e një auditi të imtësishëm nën drejtimin e një Komisioni të Posaçëm. Raporti i auditimit do t’i prezantohet Kryesisë, Këshillit Kombëtar, Grupit Parlamentar, dhe do të publikohet”.

“Ne e konsiderojmë ndërhyrjen financiare për interesa malinje, që bien ndesh me interesin kombëtar të Shqipërisë dhe orientimin e saj perëndimor, si një cënim flagrant të sovranitetit të vendit, nga një agresor që po lan në gjak popullin mik te Ukrainës. Gjithë përgjegjësitë për këtë bien mbi Lulzim Bashën, i cili për orekset, agjendat, hallet dhe shkeljet personale, vendosi të rrënonte sovranitetin e Partisë Demokratike dhe të merrte zvarrë vullnetin e demokratëve”, tha Garo.

“Partia Demokratike kërkon rihapjen e menjëhershme të çështjes në fjalë, të mbyllur me ndërhyrjen e Edi Ramës tek gjyqtarët e korruptuar, i cili më parë kishte denoncuar vetë financimin e Lulzim Bashës nga rusët, por tani i duhej te shpëtonte pengun e tij të dobishëm për të shkatërruar Partinë Demokratike. Rruga tipike mafioze që u gjet për këtë ishte mosdërgimi, në kundërshtim të hapur me ligjin e dosjes në Gjykatën e Lartë”, theksoi Garo.

“Partia Demokratike kërkon transparence dhe një proces të qartë publik. Ajo është e gatshme të bashkëpunoj me institucionet shqiptare dhe të vendeve partnere për zbardhjen e plotë të së vërtetës së kësaj çështjeje, dhe deklaron se misioni i saj ka qenë dhe vijon të jetë vokacioni perëndimor i kombit shqiptar dhe besnikëria ndaj vlerave themelore që ndajmë me partnerët tanë”, përfundoi Garo.

 

Fraksion.com