Lobimi rus, Ristani: PD nuk miratoi asnjë marrëveshje me Nick Muzin, veprimet ishin personale të Bashës
Këtë të mërkurë në emisionin “Opinion” u diskutua rreth çështjes së lobimit rus, marrë shkas këtu nga raporti i publikuar nga inteligjenca amerikane se Rusia ka financuar në mënyrë të fshehtë 300 milionë Dollarë për parti të ndryshme në të gjithë botën. Këtu përfshihet edhe Partia Demokratike dhe sipas raportit bëhet fjalë për 500 mijë Dollarë financime ruse në zgjedhjet e 2017-s.
Arben Ristani, i cili asokohe ka qenë Sekretar i Përgjithshëm i Partisë Demokratike, ka mohuar që selia blu të ketë marrë para nga institucione apo individë jashtë vendit atë kohë. Po ashtu, ai theksoi se organet e PD-së nuk kanë autorizuar lidhjen e asnjë marrëveshjeje me institucione apo individë jashtë vendit. Sipas Ristanit, në rastin konkret, veprimet e kryera janë personale të ish-kryetarit Lulzim Basha.
“T’ju bëj disa pohime dhe pastaj diskutojmë. Pohimi i parë, PD në asnjë moment, në asnjë rrethanë nuk ka marrë asnjë qindarkë nga asnjë institucion apo individ jashtë vendit. Pohimi i dytë që mund t’ju bëj është që organet drejtuese të PD mbi bazën e statutit nuk kanë autorizuar lidhjen e asnjë marrëveshjeje me asnjë institucion, asnjë individ jashtë vendit. As me Nick Muzin. Pohimi i tretë… Sekretari i Përgjithshëm i Partisë që në atë kohë kam qenë unë nuk kam menaxhuar dhe nuk ka kam firmosur asnjë dokument që ka të bëjë me menaxhim parash, asnjëherë në asnjë rrethanë, as brenda as jashtë vendit. Ç’ka të bëjë me para, kurrë, asnjëherë! Një pohim tjetër që mund t’ju bëj është që të gjitha veprimet e kryera në rastin konkret janë personale të ish-Kryetarit Basha dhe asnjë veprim nuk është autorizuar apo miratuar nga asnjë organ që sipas statutit të partisë ka pasur të drejtën të autorizojë dhe miratojë. Dhe një pohim tjetër. Çështja nuk është mbyllur. Pohimi që ju bëni që çështja është hetuar dhe është mbyllur nga prokuroria nuk është një pohim i vërtetë”, tha Ristani.
Ish-Sekretari i Përgjithshëm i PD, i cili ka qenë nën akuzë për këtë çështje, tha se u ngrit me qëllim akuza për falsifikim që dosja të pushohej.
“Ajo që është mbyllur është akuzë për falsifikim. Akuza për falsifikim është mbyllur. Aty nuk bëhet fjalë për falsifikim, aty bëhet fjalë për pastrim parash. Prokuroria e ka nisur çështjen për pastrim parash, rrugës e ka ndryshuar në falsifikim. Sipas prokurorisë për rastin tim për shembull, kjo do prapë një shpjegim se është term juridik. Akuza ndaj meje ishte falsifikim me mosveprim. Se si bëhet falsifikimi me mosveprim? Po ju shpjegoj që aty nuk mund të ngrije akuzë për falsifikim. Akuza për falsifikim u ngrit me qëllim që të pushohej në gjykatë. Se duhej të pushohej pra. U ngrit për t’u pushuar për të ndihmuar…”, u shpreh Ristani.
Prokuroria i nisi hetimet ndaj PD mbi dyshimet e revistës amerikane ‘Mother Johnes’ se kompania amerikane ‘Muzin Partners’ ishte paguar 675 mijë Dollarë nga kompania offshore ‘Biniata Trade’ me pronarë rusë, për të lobuar për llogari të Partisë Demokratike në Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Por këto akuza u pushuan pas dy vitesh nga Gjykata Penale e Tiranës./tvklan.al
Fraksion.com