Ivan Krastev: Muajt e ardhshëm do të jenë më të vështirët në historinë e BE-së
Intelektuali i njohur europian, studiuesi bullgar, Ivan Krastev nuk mendon se lufta në Ukrainë do të marrë fund së shpejti. Kriza financiare, inflacioni e çmimet e energjisë do të shkaktojnë “turbulenca të mëdha” në BE.
Deutsche Welle: Zoti Krastev, ushtria ukrainase është duke arritur fitore ushtarake impresionuese në kundërofensivën e tanishme kundër trupave ruse, që ndodhen në Ukrainë. A do të marrë fund së shpejti lufta në Ukrainë?
Ivan Krastev: Luftërat e dekadave të fundit kanë marrë fund në momentin e duhur, luftimet janë ndërprenë dikur. Kjo do të ndodhë me siguri edhe tek kjo luftë. Armëpushim do të ketë, por jo paqe të vërtetë. Siç jemi duke dëgjuar dhe lexuar, Rusia është duke përgatitur “referendume pavarësie” në territoret e kontrolluara nga Moska, gjë që de facto do të thotë aneksim i këtyre territoreve. Në këto kushte bisedimet për vendosjen e paqes janë të pamundura.
Propaganda ruse pretendon se Rusia e ka mposhtur prej kohësh Ukrainën. Dhe se tani është duke u luftuar kundër NATO-s, e cila bën luftë me mishin për top ukrainas. A ka të drejtë Moska?
Në këtë luftë të dyja palët pretendojnë të kenë fituar. Rusia e filloi luftën faktikisht si “një operacion special”, e bindur se brenda disa javësh Ukraina properëndimore nuk do të ekzistonte më. Nisur nga kjo Rusia e ka humbur luftën, sepse nuk e ka arritur këtë qëllim. Pretendimi, se në Ukrainë është duke u luftuar faktikisht kundër Perëndimit, mundohet të japë përgjigje për dy pyetje: Pse vrasin rusët në Ukrainë njerëz, me të cilët kanë jetuar së bashku deri para pak kohësh? Dhe së dyti: Pse nuk është duke e shfaqur Rusia supremacinë ushtarake që pritej? Shpjegimi i vetëm që është i besueshëm për të dy rastet është: Rusia lufton kundër gjithë Perëndimit. Sipas tezës së tyre: Perëndimi e mashtroi Rusinë, Rusia është viktimë dhe jo agresor.
Me sa duket kjo klisheja e Rusisë së mirë që lufton kundër Ukrainës së keqe dhe Perëndimit është shumë e përhapur. Spikeri i televizionit rus, Wladimir Solowjow tha para pak kohësh diçka të tillë si: Po, rusët nuk janë shumë të pasur, ata nuk jetojnë gjatë, por ata luftojnë për të mirën. E mendojnë këtë gjë të gjithë rusët?
Prezantimi i rusëve si “populli i zgjedhur”, që shpëton botën, nuk është gjë e re. E reja është se kjo ide nuk gjen më mbështetje tek shoqëria ruse. Aty është krijuar një shoqëri konsumi që vërtet është e gatshme të pranojë ndërhyrjet ushtarake në hapësirën e ish-Bashkimit Sovjetik, por nuk është e gatshme të pranojë idenë e vetësakrifikimit misionar. Pikërisht për këtë arsye qeveria ruse mundohet të mos u tregojë njerëzve në qytetet e mëdha për ngjarjet e luftës. Në Moskë dhe Shën Petersburg nuk shihet më simboli i famshëm Z.
A do të thotë kjo se sanksionet kanë efekt tek popullsia ruse?
Në afat të mesëm ato me siguri do të kenë një efekt, por deri tani ato nuk kanë pasur ndonjë ndikim të madh në të përditshmen e rusëve të zakonshëm. E prekur prej tyre është vetëm klasa e mesme urbane dhe elita ekonomike, pra rreth dhjetë milionë rusët, që udhëtojnë jashtë vendit. Dalja jashtë Rusisë është komplikuar shumë. Përveç kësaj, kur ndodhen jashtë vendit ata shihen me sy të keq. Duke qenë në anën ruse ata janë humbësit faktik të kësaj lufte.
Dhe kush janë fitimtarët? Një klishe tjetër propagandistike e Moskës thotë, se fitimtarët e vetëm janë SHBA. A ka ndonjë gjë të vërtetë këtu?
Po, propaganda ruse pretendon pa u lodhur, se çdo gjë, që ndodh në botë, shkaktohet prej SHBA-së dhe çon në fund në fitoren e SHBA-së. Por, në të vërtetë dëmet ekonomike nga kjo luftë ndihen shumë më tepër në Europë se sa në SHBA. Njëkohësisht, Europa ndien me dhimbje varësinë e saj nga SHBA. Është paradoksale, por asnjë nuk ka kontribuar aq shumë për këtë varësi sa presidenti Putin. Duke pretenduar se SHBA janë fitimtarët e luftës, Moska mundohet të fusë spica midis Brukselit dhe Uashingtonit. Propaganda ruse përsërit herë pas here se: Çmimet e naftës dhe gazit në BE janë rritur, por SHBA nuk preket nga kjo gjë, sepse shet gazin e saj të lëngshëm. Ata shesin armët e tyre.
Në rastin e Ukrainës armët më shumë dhurohen se sa shiten. Po, armët amerikane dhe SHBA janë faktikisht një faktor kyç në këtë luftë. Por, mënyra se si flet Rusia për këtë gjë, mundohet ta riinterpretojë ndryshe gjithçka duke thënë se SHBA jo vetëm që merr pjesë në këtë luftë, por donte që ajo të kryhej dhe e inicoi atë. Por kjo narrativë nuk është shumë bindëse. Sepse para sulmit rus, SHBA ishin drejtuar strategjikisht ndaj Kinës, dhe bënë çdo gjë që të mundshme për ta penguar këtë luftë.
Si do të ndikojë kjo luftë në zgjedhjet e ardhshme presidenciale në SHBA?
Amerika është e përçarë në shumë pikëpamje dhe Ukraina nuk është në qendër të debateve publike. Vendimtare janë zgjedhjet për Senatin dhe Kongresin në muajin nëntor. Deri para dy muajsh, dukej se demokratët do humbisnin shumicën në të dy këto dhoma të parlamentit. Kjo fuqizoi shumë pozicionin e Donald Trumpit. Nuk mund të imagjinohet se si një president i ardhshëm Trump, do të pretendonte me kënaqësi, se lufta e Ukrainës ka qenë lufta e Joe Bidenit. Por nëse demokratët mbajnë kontrollin mbi Senatin dhe Kongresin, shtrohet pyetja për republikanët: A është Trump kandidati i duhur?
Gjithnjë thuhet se SHBA dhe Rusia kanë qenë në prag të një lufte atomike. A mendoni dhe ju kështu?
Ky rrezik ekziston, por aktualisht nuk është shumë serioz. Sepse e vetmja gë që rusët dhe amerikanët janë duke bërë së bashku me mjeshtëri, është shmangia e një shkallëzimi nuklear. Por rreziku më i madh vjen nga centralet atomik ukrainase. Luftimet zhvillohen në afërsi të rrezikshme me impiantet atomike, një gabim i vogël ose pakujdesi njerëzore do të çonte në zhvillime dramatike. Përdorimi i armëve atomike mund të ndodhë nëse Ukraina korr fitore të mëdha ushtarake. Ose nëse Kievi do të përpiqej të rimerrte Krimenë.
A do ta eksportojë Moska luftën në vende të tjera, në Moldavi ose në shtetet baltike?
Kjo varet nga zhvillimet e luftës në Ukrainë. Aktualisht Rusia mundohet ta shmangë mobilizimin e madh. Moska nuk do në asnjë mënyrë të dërgojë në front djemtë e klasës së mesme urbane. Në varësi nga zhvillimet në Ukrainë, Rusia mund të sulmojë faktikisht Moldavinë, por jo shtetet baltike. Ato janë anëtare të NATO-s, dhe nëse atakohen ato, atëherë do të ndodhte një luftë krejt tjetër.
Baltët, por edhe polakët vunë alarmin në BE kohë më përpara sulmit të Moskës ndaj Ukrainës dhe paralajmëruan për rreziqet që vinin nga Putini, por askush nuk ia vuri veshin. Tani lufta shpërtheu. Çfarë pasojash do të ketë ajo për BE?
Në radhë të parë lufta ka çuar tek konsolidimi i BE-së. Qëndrimi i qeverive por edhe i qytetarëve bënë që të vendoseshin sanksione të pashembullta kundër Rusisë. Përkrahja për Ukrainën është e madhe, por ndërkohë edhe brenda BE-së dhe në vende të veçanta janë shtuar tensionet. Unë druaj, se gjashtë deri nëntë muajt e ardhshëm do të jenë më të vështirat në historinë e BE.
Tani ne paguajmë çmimin e madh të luftës, por BE është prekur që më parë nga kriza të tjera. Duke pasur parasysh këtë, lufta mua më duket si një lloj COVID-i i gjatë: Kriza e refugjatëve mbërriti sërish, nga Ukraina kanë ardhur në Europë dyfishi i refugjatëve që erdhën gjatë luftës në Siri. Kriza financiare po ashtu mbërriti, dhe ekziston rreziku i mungesës së stabilitetit dhe inflacionit.
Europa dhe Japonia duhet të paguajnë për energjinë çdo muaj rreth 100 miliardë dollarë amerikanë më shumë se një vit më parë. Kjo ngarkesë e madhe financiare shkakton probleme të mëdha. Dhe shoqëritë janë lodhur që tani. Do të ketë më shumë protesta si ato të Pragës dhe Gjermanisë, mendoj unë. Gjatë krizave të ndryshme janë krijuar grupime të ndryshme. Njerëzit që gjatë krizës financiare kanë përfunduar në skaj të shoqërisë, kundërshtarët e refugjatëve, kundërshtarët e vaksinimit janë bërë sot bashkë duke u shfaqur si kundërshtarë të establishmentit dhe kanë shtruar kërkesat e tyre. Kjo do të shkaktojë turbulenca të mëdha në BE.
Por kjo nuk është më e keqja. Në të gjitha krizat e deritanishme Gjermania ka qenë faktor stabiliteti, shkëmb graniti. Por sot Gjermania bën pjesë tek vendet që janë prekur më së shumti nga kriza ekonomike. Përveç kësaj, legjitimiteti moral i Gjermanisë vihet në diskutim sidomos nga baltët dhe polakët, por edhe nga çekët. Ky qëndrim i ndryshuar kundrejt Gjermanisë, por edhe kundrejt Francës, vështirëson edhe më shumë përpjekjet për të dalë nga kjo krizë e madhe. /DW
Fraksion.com