AktualitetPolitikëTë fundit

Bardhi: Në Kushtetuese VKM-ja për konfiskimin e ndërtimeve pa leje

Deputeti i Partisë Demokratike, Gazmend Bardhi u shpreh sot se grupi parlamentar demokrat do të çojë në Gjykatën Kushtetuese VKM-në e Këshillit të Ministrave për konfiskimin e kateve dhe metrave shtesë pa leje.

Në një dalje për mediet nga Kryesia e Kuvendit, Bardhi u shpreh se ky VKM është në kundërshtim me Kushtetutën.

“Grupi Parlamentar i Partisë Demokratike ka vendosur dje të dërgojë në Gjykatën Kushtetuese këtë vendim, për shpalljen e tij antikushtetuese, për shkak se Vendimi i Qeverisë për të marrë në mbrojtje oligarkët e ndërtimit të Kullave pa leje në mes të Tiranës”, tha Bardhi.

Ai u shpreh se “VKM është në kundërshtim me Kushtetutën, sepse cënon barazinë e shtetasve përpara ligjit, cënon hierarkinë e akteve normative dhe nuk është autorizuar nga ligji”.

Gjithashtu Bardhi shtoi se, “ky VKM është në kundërshtim me Kodin Penal, sepse i jep amnisti penale një kategorie personash, pa ligj të miratuar me 3/5 e votave në Kuvend. Është në kundërshtim me ligjin për planifikimin dhe zhvillimin e territorit”.

Bardhi tha se, grupi parlamentar i PD do të informojë edhe trupin diplomatik të akredituar në Tiranë.

“Grupi Parlamentar i PD do të informojë Trupin Diplomatik të akredituar në Tiranë për këtë praktikë të paligjshme të qeverisë, që nxit, favorizon dhe i hap rrugë ndërtimit të Kullave në mes të Tiranës, duke favorizuar në këtë mënyrë një skemë të mundshme pastrimi të parave të pista, nisur nga fakti se siç ka pohuar vetë Prokurori i Përgjithshëm, ka dyshime të forta që një pjesë e parave që janë investuar në ndërtim në qytetin e Tiranës kanë si burim aktivitetet kriminale jashtë territorit të Shqipërisë”, vijoi ai.

“Në emër të GPPD, gjejmë rastin të paralajmërojmë se asnjë cm shtesë pa leje nga oligarkët nuk do të legalizohet dhe çdo përfshirje e tyre apo zyrtarëve në këtë procedurë të paligjshme do të shkojë dëm. Pasuria sipas ligjit do të konfiskohet dhe do ti kalojë në pronësi shtetit. Kushdo që është përfshirë apo ka lejuar paligjshmërinë do të mbajë përgjegjësi ligjore”, theksoi Bardhi.

Bardhi gjithashtu i ka bërë thirrje Prokurorisë që të veprojë pa vonesa.

“Grupi Parlamentar i PD kërkon nga Prokuroria që të veprojë pa vonesa, të zbatojë Kodin Penal, jo vetëm ndaj ndërtuesve të paligjshëm, por edhe ndaj Edi Ramës dhe cdo zyrtari tjetër që është përfshirë në praktikën e paligjshme për të legalizuar Kullat e ndërtuara pa leje në mes të Tiranës, pa ligj dhe në kundërshtim me Kushtetutën. Prokuroria duhet të hetojë dhe vendos para përgjegjësisë Edi Ramën dhe zyrtarët e tjerë shtetërore që me veprimet dhe mosveprimet e tyre kanë lejuar favorizimin e një grushti oligarkësh, për qëllime klienteliste dhe të dyshuara si korruptive”, nënvizoi Bardhi.

 

Fraksion.com