AktualitetPolitikëTë fundit

“Kanë frikë nga vota”; Reforma territoriale, propozimi i PD-së: 6 rajone dhe 92 bashki

Në draftin e propozuar nga PD, kërkohet që të behën 92 bashki dhe 6 rajone. Sipas diskutimeve mësohet se disa nga bashkitë që shtohen janë si më poshtë: Bashkia Sukth; Bashkia Fushë-Krujë; Bashkia Farkë; Bashkia Ndroq, ndërkohë Paskuqani i bashkohet Bashkisë Tiranë dhe Zallherri i bashkohet Bashkisë Kamëz; Bashkia Maqellar, Kastriot dhe Lurë në qarkun Dibër; Bashkia Shpirag në qarkun Berat; Bashkia Dukagjin dhe Velipojë në Qarkun Shkodër; Bashkia Shpat dhe Bashkia Bardashesh në qarkun Elbasan; Bashkitë Milot, Orosh, Zadrimë dhe Bregu i Matës në qarkun Lezhë; Bashkitë Levan, Dushk, Ardenicë dhe Fratër në qarkun Fier; Bashkitë Shishtavec dhe Bicaj në qarkun Kukës; Bashkitë Leskovik, Voskopoj, Drenovë, Pojani dhe Stravë në qarkun Korçë; Bashkitë Orikum, Ksamil, Novosel dhe Kote në qarkun Vlorë.

Mësohet se deputetët kanë bërë disa propozime shtesë dhe sugjerime për ndryshime të cilat pasi të rishikohen nga ekspertët, secili prej deputetëve deri javën e ardhshme do të finalizojnë draftin që do ti propozojë zyrtarisht Grupi Parlamemtar i Partisë Demokratike.

Ndërkohë që nga 12 qarqe Grupi Parlamentar i PD propozon rigrupimin në 6 Rajone, që përmbledhin Rajonin Tiranë-Durrës; Rajoni Shkodër-Lezhë; Rajonin Kukës-Dibër; Rajonin Gjirokastër-Berat; Rajonin Fier-Vlorë dhe Rajonin Elbasan-Korçë.

Deputetët do të vijojnë diskutimet edhe gjatë kësaj jave dhe pritet që drafti final të miratohet nga Grupi Parlamentar të martën e javës së ardhshme, për të kaluar më pas në diskutimet publike dhe politike deri në 30 Shtator.

Ndërkohë bashkëkryetarja e Partisë e Komisionit për Reformën Territoriale, deputetja e PD-së Dhurata Çupi ka reaguar pas deklaratës së Taulant Ballës, i cili tha se PS do ti’i qëndrojë hartës aktuale. Çupi tha se PS po tallet me qytetarët dhe se socialistët kanë frikë nga vota.

‘Vendimi i PS, për të mos ndryshuar hartën territoriale, është tallje me qytetarët që duan ndryshim tê hartës.  Është tallje me partnerët që u angazhuan nê proçes. Ështe tallje me parlamentin. Ështe shpërdorim i taksave të qytetarëve, për njê proçes të paracaktuar nga vullneti i Edi Ramës. Edi Rama ka frikë të përballet në një betejë të vertete elektorale dhe kërkon rezultat ne tavoline. Kështu ka bêre në çdo zgjedhje. Kur ndryshoi hartën territoriale në 2015, kur ndryshoi në mënyrë të njëanshme sistemin zgedhor.  Edi Rama ka frikë nga vota.  Përgjigja e qytetarêve do të jetë referendumi. Ne do të kërkojmë referendum për ndryshimin e hartës territoriale. Askush nuk mund të dalë mbi vullnetin e zgjedhësve.’- tha Çupi.

 

Fraksion.com