AktualitetPolitikëTë fundit

Kushi: Në kohë sfidash e transformimesh, arsimi në krye të çdo axhende

Kongresi për Arsimin me temë “Sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian” mblodhi sot në Tiranë në Pallatin e Kongreseve ministra, akademikë, rektorë nga hapësira shqiptare dhe të huaj, si dhe agjenci, partnerë në nivel kombëtar dhe ndërkombëtarë, përfaqësues të shoqërisë civile dhe donatorë të projekteve në fushën e arsimit, etj.

Kongresi i arsimit, i cili do të jetë në datat 12 dhe 13 shtator, përqendrohet në “sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian” dhe ka për qëllim të bashkojë në një hapësirë diskutimi shumë aktorë në fushën e arsimit, përfshirë arsimin parauniversitar, arsimin e lartë dhe kërkimin shkencor.

Pjesëmarrja në këtë kongres, e shumë autoriteteve të institucioneve arsimore, rektorëve, akademikëve, pedagogëve, studiuesve, politikëbërësve nxit bashkëpunimin e ndërsjella për sfidat e të ardhmes, për një arsim cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian.

Të pranishëm në hapjen e këtij kongresi ishin kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, Ministrja e Arsimit dhe Sportit Evis Kushi, anëtarë të kabinetit qeveritar, pedagogë, mësues, etj.

Ministrja e Arsimit dhe Sportit, Evis Kushi tha në fjalën e saj “sfidat e arsimit cilësor dhe gjithëpërfshirës drejt integrimit evropian”, tha se “arsimi përveç se është një e drejtë themelore, për çdo njeri është edhe faktori kryesor për zhvillimin ekonomik dhe shoqëror të çdo kombi. Ndryshimet që po ndodhin sot në botë nga njëra anë fatkeqësitë natyrore, pandemi, kriza ekonomike, luftëra, ndryshimet klimatike e nga ana tjetër zhvillimet e vrullshme të teknologjisë, digjitalizimi, dhe nevojat e tregut të punës për profesione të reja, sjellin nevojën për një vizion të ri arsimor”.

“Prandaj edhe samiti global i arsimit që do të zhvillohet pas pak ditësh në Nju Jork ka zgjedhur pikërisht këtë temë transformimi i arsimit si përgjigje ndaj një krize globale në arsim, krizë cilësie, krizë pabarazie dhe gjithëpërfshirje. Nuk ka asnjë dyshim që për arsimin në çdo kohë dhe në çdo vend duhet një angazhim dhe solidaritet i madh kombëtar, veçanërisht në kohë sfidash dhe transformimesh arsimi duhet të jetë në krye të çdo axhende dhe të harmonizojë politikat me veprimet, për t’u rimëkëmbur në këtë botë që ndryshon me ritme shumë të shpejta”, nënvizoi Kushi.

Në këtë frymë, vijoi Kushi, edhe qëllimi i këtij kongresi është që të bëjë bashkë shumë aktorë në fushën e arsimit, përfshirë arsimin parauniversitar, universitar, kërkimor, partnerët në nivel kombëtar dhe ndërkombëtar, pedagogë, mësues, studiues, politikbërës për të nxitur bashkëpunimin për sfidat e të ardhmes, për një arsim cilësor, të barabartë e gjithëpërfshirës drejt Bashkimit Evropian.

“Përveç krizës globale në Shqipëri po përballemi edhe me një tendencë tjetër, një sfidë, me të cilën po përballet i gjithë rajoni i Ballkanit. Një pjesë e të rinjve largohen nga rajoni për studime apo punësim drejt vendeve perëndimore, vende të cilat duke qenë drejt plakjes së popullsisë e duke pasur nevoja në rritje në tregun e punës kanë hapur dyert për të rinjtë tanë, veçanërisht për mjekët dhe infermierët. Për t’iu përgjigjur kësaj tendence ne kemi hartuar disa politika të reja siç është ndërkombëtarizimi i universiteteve, por edhe financim shtesë për programe studimi të përbashkëta, të dyfishta me universitete prestigjioze evropiane, por  edhe struktura evropiane ekselence si universitete, por edhe për struktura ekselence evropiane, që mund të jenë departamente, fakultete, qendra kërkimore. Qëllimi ynë është për të rritur cilësinë, dhe për t’i dhënë më shumë vlerë diplomave tona, njësoj si në universitetet më të mira të BE”.

Ministrja Kushi u shpreh se “një tjetër politikë është edhe përcaktimi i programeve të studimit prioritete për zhvillimin e vendit, si dhe bursa studimi më të lartat ndonjëherë për këto programe, siç janë bujqësia, mësuesia, shërbimet, turizmi, me kushtin që studentët pas diplomimit të vazhdojnë të qëndrojnë këtu, në Shqipëri, të japin kontribut për vendin e për njerëzit tanë. Por a mjaftojnë këto politika? Natyrisht që në arsim, ndryshe nga sektorët e tjerë, të gjithë ekspertët bien dakord që, politikat dhe reformat, sa më të mëdha e të thella të jenë, aq më shumë kohë kërkojnë për t’u zbatuar e vlerësuar, sepse edhe rezultatet nuk janë as të menjëhershme, e as lehtësisht të matshme. Ndaj, unë besoj që në panelet e këtij kongresi, sot dhe nesër, kjo temë do të ketë diskutim të gjerë, dhe ju do të na jepni opinione e sugjerime me vlerë, që me pas, ne të mund t’i integrojmë me politikat dhe veprimet tona”.

Duke folur për kërkimin shkencor, Kushi tha se “sfidat që përmenda që në hyrje të fjalës ime, e bëjnë te domosdoshme ngritjen e tij në një nivel te ri. Pa dyshim që duhen më shumë financime, më shumë mbështetje, por mbi te gjitha duhet një qasje e re. Deri më sot, universitetet janë aktorët më të rëndësishëm në këtë proces, me projektet e tyre kërkimore, me pjesëmarrjen në programet ndërkombëtare, bashkëpunime, shkëmbime dhe partneritete me institucione te huaja, ku për hir të së vërtetës, ka rezultate shumë të mira. Në këtë drejtim, ne i kemi të gjitha mundësitë që të bëhemi shembull pozitiv edhe në rajon, për thithjen e fondeve nga BE për arsimin dhe kërkimin shkencor. Nëse i referohemi vetëm Programit Horizont Evropa, universitetet tona e kanë rritur performancën dhe tashme jo vetëm qe përfitojnë me shume financim, por janë edhe lider kryesor në projekte të ndryshme”.

Megjithatë, shtoi Kushi, edhe këtu besoj se duhet bere shume me tepër. Ka ardhur koha që vetë bizneset të jenë më të përfshira, me aktive, madje pse jo edhe katalizator i këtij procesi, duke bashkëvepruar ngushtë me institucionet e arsimit të lartë.

“Në këtë kongres, kemi dedikuar panele të posaçme edhe për kërkimin shkencor, ku kemi ftuar, veç universiteteve dhe qendrave kërkimore, edhe përfaqësues të biznesit e dhomave të tregtisë, dhe mirëpresim më shumë interes kontributin e tyre, me propozime dhe angazhime konkrete”, tha Kushi.

Ministrja Kushi bëri të ditur se “edhe në sistemin arsimor parauniversitar sfidat janë te mëdha, për të arritur që nxënësit tanë të përfitojnë aftësitë e reja te shekullit 21, te bëhen profesioniste te mire, punonjës te suksesshëm dhe qytetare te denje te se ardhmes.
Kemi investuar në infrastrukturën shkollore, kemi përmirësuar kurrikulat, tekstet shkollore, trajnimin e mësuesve, mirëqenien psiko-sociale te nxënësve, mbështetjen për nxënësit me aftësi ndryshe. Por kryefjalë në politikat tona, dhe fokusin më të veçantë, jam e bindur që duhet ta ketë pa diskutim digjitalizimi. Sepse është pikërisht transformimi digjital i arsimit që zbut pabarazinë, dhe nxit gjithëpërfshirjen në arsim. Falë digjitalizimit dhe sistemeve të reja online, ne garantojmë dhe lehtësojmë regjistrimin e nxënësve, ndërveprimin shkolle-prindër, meritokraci dhe transparencë për regjistrimin e studentëve në universitete, por edhe punësimin e mësuesve”.

Nga ana tjetër, shtoi Kushi, studimet me te fundit i kushtojnë rendësi te veçantë edukimit ne fëmijërinë e hershme.

“Ato tregojnë qe nëse kemi programe cilësore për këtë grup moshë, atëherë nga çdo dollar i investuar, përfitimet me vone janë 10 here me te larta, ose e thënë ndryshe kursimet ne periudhën afatgjate janë vërtet të konsiderueshme. Prandaj shpresoj që gjatë këtyre dy ditëve në këtë kongres të kemi diskutime produktive edhe për këtë aspekt të edukimit”, tha Kushi.

Ministrja Kushi theksoi se “në një kohë të shkurtër është e pamundur te ndalem ne çdo problematike apo politikë tonën arsimore, sepse në fakt do të jenë pikërisht panelet e këtij kongresi, me tematika specifike, që do të na ndihmojnë ta vendosim arsimin në krye të agjendës sonë politike”.

 

Fraksion.com