AktualitetFjalaOp-EdTë fundit

“Shumë hashash dhe shumë…”; Festivali ilegal në Republikën e Shqipërisë

Nga Ben Blushi

Nëse do kisha më shumë guxim dhe sigurisht nëse do isha në moshën e duhur, do kisha marrë pjesë në festivalin Ilegal Techno, në Vilëbashtovë të Kavajës.

Ilegal Techno është një grumbullim i përvitshëm, çdo shtator, i gati 5000 të rinjve që vijnë me makinat e tyre nga Franca, Austria, Italia, Suedia, Turqia,Portugalia, Anglia, Bullgaria, Sllovenia, pra pak a shumë nga gjithë Evropa në plazhin e mrekullueshëm të Vilëbashtovës, aty ku derdhet Shkumbini.

Nga shumë njerëz kisha dëgjuar çdo gjë të mundshme, natyrisht shumë të keqe, për Ilegal Techno, për veset me të cilat bashkëjetojnë kaq shumë vetë në një plazh të virgjër ku nuk ka as hotele, as restorante, as kosha plerash, as polici, as tualete, as rrugë dhe as asfalt.

Asfalti më i afërt përfundon diku te kalaja e famshme e Vilëbashtovës dhe që aty duhen rreth 3 kilometra rrugë ushtrie për të mbërritur në det.

Si çdo gjuetar imazhesh unë shkova të bëja fotografi, duke kërkuar fytyra të shpuara nga piercing, flokë të gjatë, vajza dhe djem nudo dhe tatuazhe në çdo cep të trupit.

Natyrisht i gjeta të gjitha me shumicë, aq sa aparati im fotografik u ngop.

Sapo iu afrova plazhit të Vilëbashtovës, apo Vilës sic thonë vendasit, pashë me dhjetëra çadra të vogla të fshehura poshtë pishave. Banorët e tyre ishin duke fjetur ose duke ngrënë, pas një nate të gjatë me muzikë, me lodra, me zjarre dhe natyrisht me shumë hashash dhe shumë dashuri.

E panjohura në Ilegal Techno është e njohur. I panjohuri është pjesë e komunitetit dhe mund të bëhet pjesë e familjes. Ilegal Techno nuk ka kufi ndjenjash apo besnikërie. Aty lejohen të gjitha artet e dashurisë njerëzore, të miqësisë dhe të shkëmbimit fizik.

Kjo është pak a shumë Ilegal Techno. Një mënyrë jetese.

Sapo dola nga pishat e dendura të Vilëbashtovës gjeografia e Ilegal Techno mu shfaq më e plotë para lenteve të Nikkonit tim të vjetër.

Më shumë se 1000 makina, pjesa dërrmuese rulotë, por edhe kamionë të banueshëm, të gjithë me targa të huaja, kishin krijuar një brez më të gjatë se dy kilometra në plazhin e Vilëbashtovës. Në plazh ishin ngritur tenda të mëdha, në të cilat banorët e komunitetit Ilegal qëndronin në grupe, duke biseduar, duke fjetur, duke u çlodhur apo duke ëndërruar me sy hapur nën efektin e barërave që konsumojnë.

Ilegalët janë njerëz që stimulohen vazhdimisht. Ata qeshin, ëndërrojnë dhe bëjnë dashuri. Kur duan të freskohen dalin në plazh, lahen dhe kthehen sërish në çadrat e tyre të mbushura me djersë dhe me avuj. Natyrisht pinë shumë alkool mes pushimeve të gjumit dhe përhumbjes.

I pamësuar si të sillem me njerëz të tillë, unë u ndjeva si një i huaj, si një intruder apo një rendprishës dhe prandaj kërkova ndihmë tek të ngjashmit e mi shqiptarë apo djemtë e zonës. Disa prej tyre më njohën dhe erdhën të më takonin.

Pas pesë minutash pyetje të vështira, se pse kam ardhur, çfarë aparati kam, a do bëj video apo vetëm foto, ku do ti botoj fotot, pse nuk merrem më me politikë, për kë votoj, a kam ardhur ti shaj apo ti mbroj ilegalët, unë kalova vettingun e besimit nga vilasit, të cilët ia ngarkuan Lushit shoqërimin tim nëpër kampin Techno.

Lushi ishte një fermer që kishte nxjerrë zetorin e tij italian nga fushat me patate dhe gjatë gjithë javës e përdorte me pagesë, për dy funksione që nuk kanë asnjë lidhje me karakterin bujqësor të këtij elefanti mekanik, të cilit i hipa për herë të parë në jetë.

Zetori i Lushit pra, bënte dy punë legale për Ilegalët. E para mblidhte plerat, çka ndodhte disa herë në ditë dhe e dyta tërhiqte makinat e mbetura në rërë çka ndodhte shumë shpesh.
Me kërkesën time, zetori i Lushit kreu dhe një funksion të tretë. Atë të një guide turistike.
Meqë zetori nuk është krijuar për sightseeing, ai ka vetëm një sedilje teke në të cilën u ul Lushi duke manovruar marshet dhe frenat gjigande. Unë qëndrova në këmbë, në shkallën e zetorit duke u mbajtur me një dorë te pasqyra e tij e madhe si një vesh elefanti, ndërsa me dorën tjetër mbaja aparatin tim fotografik, si një sy i habitur ciklopi.
Shëtitja me zetorin e Lushit është një nga xhirot më të bukura që kam bërë në jetë, pa qenë nevoja te jem vetë në timon.Taksia ime vërtitej nga një çadër në tjetrën, futej në rërë dhe ngrihej mbi dunat e saj, dredhonte mes makinave të mëdha të ilegalëve dhe ishte aq elegante, saqë i kalonte anash, pa i prekur një qime, këmbëve të zbathura të gjumashëve të shtrirë kudo.
Të lëvizësh me zetor në mes të një kampi njerëzish të lirë, është njëlloj sikur të marrësh një elefant me qira dhe mbi kurrizin e tij të shijosh një xhungël të hazdisur.
Nëse ka një fjalë që i shkon kampit ilegal kjo është fjala xhungël. Në këtë xhungël kafshët janë të lira, por natyrisht jo aq të lira sa të pengojnë kafshët e tjera të bëjnë atë që duan.
Duke folur me Lushin kuptova se sado që duket si një grumbullim kaosi dhe vesi, Ilegal Techno ka disa rregulla.

Së pari aty nuk ka dhunë jo vetëm sepse nuk lejohet, por sepse në këtë komunitet asnjëherë nuk lind nevoja të jesh i dhushëm. Çdo gjë është e përbashkët, qoftë ushqim, qoftë dije,qoftë pije,qoftë hije,qoftë shije, qoftë bar, qoftë një vajzë, qoftë një djalë.

Në Ilegal Techno asgjë nuk refuzohet dhe çdo gjë mund ta marrësh.

Kjo i bën ilegalët tmerrësisht të sjellshëm dhe kushdo që ka frikë prej tyre e ka gabim. Asnjë plazh normal ku vajzat përdorin parfume të rënda dhe djemtë mbajnë syze të shtrembra nuk është më i sjellshëm dhe më i edukuar se Ilegal.

Ata janë të gjithë të qeshur dhe kurrë nuk kam parë njerëz më të dashur kur i fotografova. Ata pozonin, hipnin mbi zetor, përqafoheshin dhe putheshin për të kënaqur njëri- tjetrin dhe mua. Ilegalët janë të gjithë të veshur thjesht, mundësisht me sa më pak rroba dhe sa më shumë piercing e tatuazhe të vizatuara kudo në trup. Trupi dhe fytyrat e tyre janë një vepër arti që mbahet në formë duke përtypur bar, siç bëjnë të gjitha kafshët e buta në xhungël.

Aty je i huaj nëse ke një varëse të shtrenjtë, je i tallur nësë ke një orë floriri, je një fshatar italian nëse vjen me ferrari, je jashtë mode nëse pi verë të kuqe, rrezikon të dukesh idiot nëse vjen me kollare dhe je një kafshë e egër nëse del në det me jaht.

Xhungla Ilegal është e thjeshtë dhe lluksi është armiku i saj më i egër.

Së dyti, në Ilegal Techno të gjithë duhet të punojnë. Pastrimi është puna e tyre kryesore të cilën e ndajnë me turne. Megjithëse në gjendje konstante stimulimi, vajzat dhe djemtë ilegal mblidhnin të gjitha mbeturinat e pijeve ushqimit dhe lëndëve të tjera që konsumonin dhe unë pashë një zetor binjak me atë ku kisha hipur vetë, të ngarkuar me dhjetëra thasë plastikë, që po shkonin të derdheshin aty ku e kishin vendin. Dy vajza italiane brenda në zetor po këndonin sikur kishin dalë të bënin shopping në qendër të Milanos, ndërsa një shok i Lushit, një zetorist ezmer, gajasej si një shofer taksije te filmi Pretty Woman.

Meqë ra fjalë te Lushi dhe shokët e tij vendas nga të cilët takova jo pak.

Kushdo që mendon se Ilegal Techno është një vend i shthurrur, pa rend,me orgji,me drogë, një degjenerim që bën pis plazhet dhe moralin e shoqërisë sonë duhet të flasë me ta.

Ilegal Techno ështe një ekonomi në një zonë joaq të zhvilluar të Shqipërisë. Nga një llogaritje e shpejtë del se, nga afro 5000 veta bashkë me makinat e tyre që duan naftë, aty konsumohen të paktën 1 milion euro në një javë.
Kaq xhiro, fushave të Vilëbashtovës, u duhen disa muaj për ta siguruar.

Vetëm për të pastruar rërën, me zetorët e fshatit, ilegalët kanë harxhuar më shumë se 10 mijë euro. Nuk besoj se bashkia e Rrogozhinës, që ia ka rrëmbyer Kavajës këtë plazh, do harxhonte kaq shumë për ta pastruar atë territor të braktisur nga cdo shërbim publik.

Po nuk është kjo e vetmja arsye pse banorët e Vilëbashtovës i duan dhe i mbrojnë ilegalet që kërcejnë techno dhe lahen lakuriq në det.

Lushi më tha se pas disa viteve në shërmbim të ilegal Techno, është i bindur se nuk ka të rinj më të sjellshëm se ata. Disa ditë më parë, një vajzë shqiptare që kishte ardhur në Ilegal, u mor me forcë nga familja e saj e pasur dhe kjo e ngriti gjithë kampin në këmbë. Meqë babai i njohur, nuk mund të vinte vetë dhe prandaj kishte çuar bodigardët për të marrë vajzën nga kampi, Ilegalët menduan se gorrillat e veshur me kostume kishin ardhur për ta rrëmbyer vajzën dhe prandaj dolën të gjithë ta mbronin.

Solidariteti është një nga rregullat bazë të ilegalëve. Ata mbrojnë njëri-tjetrin nga veset e njerëzve që nuk janë ilegal dhe që për fat të keq janë të shumta.

Nëse do bëja një krahasim vesesh, bota jashtë Ilegal ndoshta ka më shumë të tilla. Thënë ndryshe, xhungla jonë, është më e rrezikshme se xhungla e tyre.

Jashtë Ilegal Techno vidhet, vritet, përdhunohet, mashtrohet në grup dhe këto vese janë kthyer në një normë. Në Ilegal asgjë nga këto nuk ndodh. Ilegal është një botë e lirë nga veset që i bëjnë dëm dikujt tjetër. Ilegal Techno ka vese por nuk ka mëkate. Aty je i mbrojtur nga dashuria pa kufij.
Përveç fjalëve të Lushit unë nuk kam fjalë të miat për ti ndryshuar mendjen gjithë atyre që mendojnë se Ilegal Techno duhet ndaluar, se shteti duhet të marrë masa, se policia duhet të veprojë sepse aty ka shthurrje, ka degjenerim sepse të rinjtë tanë mund të infektohen dhe bëhen si ata, se plazhet duhen mbrojtur nga ndotja e shiringave dhe nga gjurmët që dashuria e lirë lëshon mbi tokën e në një Republike Qejfi si ajo e Vilëbashtoës.

Në 100 vitet e fundit ne kemi ndryshuar disa herë karakterin e Republikës sonë. Kemi qenë Republikë Monarkike,kemi qenë Republikë Fashiste, kemi qenë Republikë Kuislinge, kemi qenë Republike Socialiste dhe ka shumë që besojnë se aktualisht jetojmë në një Republikë Kaotike.

Të gjitha këto Republika kanë kufizuar liritë tona, dikur si opozitarë, pastaj si çlirimtarë, pastaj si të pasur, tani si të varfër.

Të gjitha Republikat e Shqipërisë kanë qenë dhunuese.
Unë do isha naiv të besoja se karakteri i egër i Republikave tona do ndryshojë nga një festival ilegal në një plazh të Kavajës, por e sigurt është, se këta të rinj me vese duhet të na bindin se ka ardhur koha të jemi më liberalë.

Duke folur me Lushin dhe miqtë e tij techno, nuk dyshoj se edhe Shqipëria ka vend për një Republikë Liberale. Nëse Lushi dhe gjithë fshatarët e Vilëbashtovës do ti kishin zbuar me dru ilegalët, si njerëz të shthurrur dhe të degjeneruar, do kisha shumë dyshime nëse toka jonë është fertile sa duhet për një Republikë Liberale.

Por në Vilëbashtovë pashë të kundërtën. Ata jo vetëm i strehuan, por i ushqyen dhe i mbrojtën ilegalët sepse ata e kuptojnë se vesi që lind nga liria, e dëmton shoqërinë më pak se dhuna që buron nga lakmia.
Ja pse besoj se ne mund të jemi një Republikë Liberale e cila nuk prodhon vetëm ekonomi por edhe një ripopullim të Shqipërisë me shqiptarë dhe të huaj.

Në të gjithë botën ka njerëz që kërkojnë më shumë liri, më shumë dashuri, më shumë shkëmbim, më shumë harbim, më shumë aventurë, më shumë iniciativë, më shumë transanksione të thjeshta, më pak burokraci dhe shumë më pak ndërhyrje nga shteti.

Ne kemi plazhe dhe male për ti strehuar të gjithë.
Apo jo?

 

Fraksion.com